Escobar: Ftesa për Kosovën vlen ende

Përfshirja e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është kushti që “Ballkani i Hapur” të ketë sukses, ka thënë emisari i ShBA-së, Gabriel Escobar.

Derisa ka ofruar mbështetje për iniciativën rajonale, Escobar ka thënë se ajo duhet të jetë e hapur e t’i trajtojë në mënyrë të barabartë shtetet pjesëmarrëse.

“Ne i përkrahim të gjitha iniciativat ekonomike që e afrojnë regjionin, promovojnë paqe dhe bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Besojmë që të ketë sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik duhet t`i përfshijë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë të barabartë”, ka thwnw Escobar.

Përveç ShBA-së, për iniciativën “Ballkani i Hapur” përkrahje ka dhënë edhe Bashkimi Evropian.

Sipas komisionerit për zgjerim, Oliver Varhelyi, kjo iniciativë është mundësi e përshpejtimit të anëtarësimit të shteteve të rajonit në BE.

“Nuk ka logjikë të flasim për aderimin në BE dhe për eurointegrim të rajonit nëse në vetë rajonin ende duhet të nostrifikohet diploma juaj nëse duhet të punoni në një vend tjetër, nuk vlen asgjë nëse biznesi juaj nuk bënë tregti si duhet, apo t’i shesë shërbimet në rajon”, u shpreh Varhelyi.

Iniciuesit e iniciativës i bënë sërish ftesë Kosovës që të bëhet pjesë e saj, pavarësisht refuzimit të deritanishëm të saj.

“Ftesa për kryeministrin e Kosovës mbetet e hapur. Jam i sigurt që benefite nga Ballkani i Hapur do të kenë shtetasit e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë- Hercegovinës dhe besojmë që ky samit do të bëjë një kthesë të papritur sa i përket çështje së Ballkanit të Hapur”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“Të mirëseardhur, nëse dëshirojnë të marrin pjesë në formimin e grupeve punuese janë edhe përfaqësuesit e Bosnjë-Hercegovinës, Prishtinës, Malit të Zi e kështu me radhë”, shtoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pjesëmarrësit e samitit të “Ballkanit të Hapur” diskutuan për kulturën e turizmin derisa u zhvilluan edhe një varg takimesh mes vete.

Në fund, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi lidhur me luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Pas nënshkrimit të tyre, liderët e shteteve nismëtare e atyre pjesëmarrëse u shfaqën në një konferencë të përbashkët për media.

Derisa u përsërit sërish kërkesa që pjesë e Ballkanit tw Hapur të jetë edhe Kosova, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte një mesazh.

“Një gjë është e sigurt, pikërisht sepse është e njerëzve, i vendeve, i të ardhmes, Ballkani i Hapur as nuk ndalet as nuk mbyllet, kjo është mbase pak por kjo është e sigurt dhe kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet dhe kush heziton është i destinuar që të humb kohë për të përfituar nga kjo nismë”, pohoi Rama.

Liderët e Malit të Zi e Bosnjë-Hercegovinës, që këtë herë ishin si pjesëmarrëse në samitin e “Ballkanit të Hapur”, paralajmëruan përfshirjen e tyre në këtë iniciativë.

“Unë apeloj që herën tjetër të mos jemi pesë, por jemi gjashtë, qëllimi është që edhe kështu të vazhdojmë që ‘Ballkani i Hapur’ të ketë gjithnjë e më shumë pjesëmarrës, e të bëjmë gjërat që qytetarët kërkojnë nga ne”, deklaroi Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi.

“Përgjegjësia është e jona, faleminderit që i mbani dyert e hapura për ne, që nuk parashtroni kushte, që nuk parashtroni afate dhe ne e çmojmë këtë”, shtoi Zoran Tageltija, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës.

Iniciativës “Ballkani i Hapur” refuzon t`i bashkohet Kosova, e cila insiston se nismat e Bashkimit Evropian për bashkëpunim rajonal janë të mjaftueshme.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme