Ethet hemorragjike kongo- krime është sëmundje relativisht e rrallë dhe e re, e ngjashme me një virus të zakonshëm. Dallimin e bën gjakderdhja, e cila nëse është masive mund të shkaktojë edhe vdekje. Kryetari i Komisionit të Sëmundjeve Infektive, Aleksandar Petliçkovski në një intervistë për Alsat, tha se për dallim prej vitit 1971 ku kjo sëmundje pati një shpërthim të madh në Maqedoninë e Veriut, tani nuk ka vend për panik.
Përshëndetje zotëri Petliçkovski, jemi këtu që të flasim lidhur me ethet hemorragjike kongo- krime që këtë vit edhe tek ne po zgjerohet, tani kemi 3 raste dhe duam të dimë më shumë lidhur me këtë sëmundje. Kur është paraqitur për herë të parë, ku dhe tani ku është e përhapur nëpër botë?
Ethet hemorragjike kongo-krime është sëmundje prej virusi, pra transmetohet nga virusi që jeton te rriqrat… Bëhet fjalë për sëmundje që mund të ketë përkeqësim serioz. Domethënë. disa studime thonë se madje 40 për qind nga të infektuarit me ethet hemorragjike kongo-krime, vdesin, kanë përfundim fatal. Sëmundja është relativisht e re. Të dhënat e para janë nga viti 1944-45 nga Gadishulli i Krimesë, nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm, më pas virusi është identifikuar diku në vitin 1967, ose ndoshta edhe më vonë, në Kongo në Afrikë, dhe atëherë e merr emrin ethet hemorragjike kongo-krime. Quhet ethe hemorragjike pasi një prej simptomave më të rëndësishme është hemorragjia, gjegjësisht gjakderdhja. Përveç gjakderdhjes, pacientët që infektohen me këto ethe, mund të kenë dhimbje koke, temperaturë të lartë, të vjella dhe simptome sikur viruset e tjera infektuese, por gjakderdhja është kyçe dhe më shpesh për shkak të gjakderdhjes së madhe. njerëzit vdesin. Prej vitit ‘67, sëmundja paraqitet rrallë në të gjithë botën, ku Afrika, Turqia, Ballkani, janë rajone ku ajo ekziston endemikisht – ndodh që disa vite të mos ketë – megjithatë herë pas here paraqitet. Konkretisht në Maqedoni, kjo sëmundje kishte shpërthim më të madh në vitin 1971 ku gjithsej 13 raste u regjistruan dhe prej tyre, një pjesë e madhe, më duket rreth 6 persona ndërruan jetë. Pas vitit ‘71 deri para disa vitesh, në vitin 2017, kishim një rast të konfirmuar në mënyrë laboratorike, dhe kjo është e gjitha. Domethënë mes kësaj periudhe, deri këtë vit, në Maqedoni nuk kishte të regjistruara raste të tjera me ethe hemorragjike kongo-krime, deklaroi Aleksandar Petliçkovski, Kryetar I Komisionit për sëmundje infektive.
Cili është dallimi tani dhe atëherë, a është shteti ynë tani më I përgatitur që të ballafaqohet me këtë sëmundje?
“Kjo është një pyetje e rëndësishme, gjithsesi që jemi më të përgatitur. Për shembull, edhe këto tre raste të identifikuara së fundi, prej paraqitjes së simptomave të para, temperaturës, dhembjes së kokës, e deri te përcaktimi i diagnozës nuk kalon më shumë se një javë. Kjo është një kohë shumë e shpejtë për sëmundje që paraqitet shumë rrallë. Teste kemi, edhe punonjësit shëndetësorë janë më të informuar se sëmundja është prezentë dhe mund të paraqitet dhe kur të lidhen këto simptome, mendojnë për sëmundjen, dhe e kërkojnë testin. Teste kemi në Institutin e Shëndetit Publik, sepse është e mundur që njerëz me simptoma të ngjashme të kërkojnë testime në numër më të madh. Ka filluar furnizimi edhe për një sasi të re, më shumë se 100 teste, domethënë teste kemi mjaftueshëm, ky është momenti i parë. Momenti i dytë është se informimi është shumë i rëndësishëm, në mënyrë që të mendohet më herët për sëmundjen dhe pacientët më herët të paraqiten te klinika infektive që të mund të marrin përkujdesjen adekuate dhe e treta, edhe pse nuk ka terapi specifike për këtë sëmundje, ekziston terapi që mund të ndihmojë dhe ajo terapi gjendet në Klinikën për Sëmundje Infektive, që nënkupton se nga të gjitha anët, edhe me informim, edhe me testim edhe me terapi, jemi më të gatshëm se para 20-30 vitesh,” deklaroi Aleksandar Petliçkovski, Kryetar I Komisionit për sëmundje infektive.
Më të moshuarit ndoshta e dijnë, por të rinjtë nuk e dijnë çfarë nënkupton kafshimi nga rriqra. A mund të na tregoni si mund ta njohim këtë dhe si të jemi më të kujdesshëm që të mos vijmë në një situatë të tillë?
“Këto rriqra jetojnë tek kafshët dhe jetojnë nëpër fusha të hapura, në bar, në kullota, dhe shpesh ndodh që rriqrat të infektohen nga kafshët që paraprakisht e kanë virusin, por pas kafshimit të njeriut, ta transmetojnë te njeriu, sepse tek kafshët ky virus ekziston, por nuk paraqet simptoma. Kafshimi i rriqrës ndonjëherë ndjehet, ndonjëherë jo, megjithatë rriqra ngjitet në lëkurë dhe qëndron aty në mënyrë që koka dhe tentakulat depërtojnë lëkurën dhe nuk janë të dukshme, i dukshëm është vetëm stomaku i rriqrës, dhe ai varësisht prej gjakut të thithur mund të jetë më i fryrë apo më i tkurrur. Më së miri është të mos provojë vet ta heqë, pasi gjatë heqjes në mënyrë joadekuate mundet që një pjesë nga këmbët apo koka e rriqrës të mbetet në lëkurë dhe këtu të bëjnë probleme shtesë. Prandaj më së miri është të paraqitet në mjek. Ajo që ne mund të bëjmë që t’i ulim shanset për infektim është që kur të shkojmë në ambiente të hapura të shkojmë me pjesë të mbuluara të trupit, të mos kemi pjesë të zbuluara të trupit,” tha Aleksandar Petliçkovski, Kryetar i Komisionit për sëmundje infektive. /alsat.mk