Fajon: LIBE ishte e gatshme për viza, por Kosova duhet të kryejë detyrat

  • Publikuar në
  • tanja fajon
  • Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, pas votimit në komitetin LIBE, tha se ka marrë mbështetjen për raportin dhe rekomandimet e saj për lëvizjen e lirë për Kosovën, por “nuk ka marrë një mandat për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së për çështjen e vizave për Kosovën”.

    Tanja Fajon shprehi kënaqësinë që “ka marrë një votë më shumë për raportin e saj, por tha se tani varet nga Kosova kur do të përmbushë kriteret e përcaktuara për t’i hapur mundësinë që ta fus në votim në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

    Radio Evropa e Lirë: Na thoni se çfarë ndodhi në Komitetin LIBE. Ju morët shumicën e votave për raportin por jo edhe për fillimin e negociatave. Çka do të ndodh tani?

    Tanja Fajon: “Tani çdo gjë është në duart e Kosovës. LIBE i dha një mbështetje me shumicën e votave raportit tim, rekomandimeve të mia, për lëvizjen pa viza të Kosovës. Kjo tani do të thotë se unë do të vendos kur ta paraqes para seancës pleanare. Duke parë një situatë si kjo në LIBE, ku shumica e kolegëve shprehën shqetësimet për përmbushjen e dy standardeve të mbetura, ajo për demarkacionin e kufirit dhe thellimi i luftës kundër korrupsionit, dhe prandaj standardet duhet të plotësohen përpara se ta dërgojë për votim në seancë plenare. Unë sot nuk mora mandatin që të diskutojë më Këshillin, por Këshilli deri tani nuk e ka marrë një qëndrim. Kjo nuk do të thotë asnjë gjë për çështjet procedurale në Parlament, sepse LIBE me dha mbështetjen e plotë dhe unë kam përkrahjen që të mos kthehem në LIBE. Hapi tjetër është seanca plenare e Parlamentit Evropian. Por para kësaj Kosova duhet të përmbushë dy kushtet e mbetura”.

    Radio Evropa e Lirë: Të jemi të qartë, nuk ka më nevojë për kthim në LIBE përr të marrë mandatin për kornizën negociatore?

    Tanja Fajon: LIBE më dha mbështetjen me një votë më shumë, Nuk është mbështetja më e madhe, por jam e kënaqur se morëm këtë mbështetje, sepse në orët e fundit situata ishte shume e tensionuar. Ne nuk do të diskutojmë më për raportin për Kosovën ne LIBE. Unë kam mandatin që të vazhdojë, por do të shoh se kur do ta vendos në seancë plenare sepse tani është vërtetë në duart e Kosovës.

    Fajon: Ka zëra në Komitetin LIBE për shtyrjen e votimit për vizat për Kosovën

    Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i tha Radios Evropa e Lirë se ka përpjekje të grupeve të caktuara politike, kryesisht të Partisë Popullore Evropiane, që të shtyjnë procesin e votimit në komitetin LIBE për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, të paraparë për të hënën pasdite, vonë.

    Ajo tha se shpreson se votimi për raportin për Gjeorgjinë dhe Kosovën “do të ndodh” dhe se “Kosova do të marrë një porosi të fuqishme”.

    Nuk e di se cilat janë procedurat por ka përpjekje të grupeve të caktuara politike të EPP-së (European People’s Party) për të kërkuar shtyrjen”, tha Fajon duke shtuar se me votimin “do t’i përçohej një porosi e fuqishme Kosovës, sot, se ne jemi mbështetës por dy kriteret e mbetura duhet të përmbushen përpara se të shkojmë në seancë plenare”, tha raportuesja e posaçme për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Komiteti LIBE vendos për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, LIBE, i Parlamentit Evropian pritet që të hënën, pasdite vonë, të votojë për liberalizim të vizave për Kosovën, një hap përpara se Parlamenti Evropian të vendosë nëse qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

    Përmes kundërshtimesh të një numri vendesh anëtare të BE-së, që edhe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, LIBE pritet që të votojë, ndërsa një rezultat i pafavorshëm do të shtynte të gjitha proceset për Kosovën për një periudhë të pacaktuar.

    Kundërshtimet në BE ndaj Kosovës janë shtuar pas pezullimit të votimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, por në veçanti ato janë të theksuara për shkak të, siç thuhet, “mungesës së rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë” dhe forcimit të sundimit të ligjit, që do të ndalonte migrimin ilegal.

    Dy raportueset e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe për liberalizim të vizave,Ulrike Lunacek dhe Tanja Fajon, e cilësuan dështimin e Kuvendit të Kosovës për ratifikim të marrëveshjes me Malin e Zi, në fillim të shtatorit, si “për keqardhje”, por nënvizuan se votimi në LIBE do të procedohet pavarësisht.

    Të dy raportueset kërkuan nga Kosova që t’i përmbushë obligimet e saj sa më parë, përfshirë demarkacionin me Malin e Zi.

    Një Komitet për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian me një rezultat shumë të ngushtë kishte nxjerrë në fillim të korrikut një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën, megjithë kundërshtimet për mospërmbushjen e dy kushteve të mbetura, posaçërisht atë të thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Votimi në Komitetin LIBE qe paraparë të bëhej në korrik të këtij viti, por u shty për 5 shtator, me shpresën se politikanët e Kosovës do të arrijnë një pajtueshmëri për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi,.

    Votimi në Kuvendin e Kosovës për marrëveshjen që ka ngjallur një varg kundërshtimesh të opozitës, u pezullua, meqë Qeveria e Kosovës e tërhoqi projektligjin e saj me arsyetimin e “mungesës së kushteve”.

    Në rrugë, qindra protestues, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, thanë se do të kundërshtojnë në vazhdimësi marrëveshjen që konsiderohej si e dëmshme për Kosovën.

    Megjithëse demarkacioni i kufirit me Malin e Zi u vendos si kusht për një proces të rëndësishëm për qytetarët e vendit, udhëtimin e lirë pa viza në Evropë, udhëheqësit politikë në vend nuk arritën një pajtueshmëri ndërmjet vete për ta ndihmuar këtë proces.

    Kosova është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave, pavarësisht se udhëheqësit e institucioneve të vendit kanë paralajmëruar fundin e vitit si mundësinë e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.

    Por, afateve kohore u ka dhënë fund komisionari i BE-së për politika të fqinjësisë dhe negociata të zgjerimit, Johannes Hahn, i cili i tha Radios Evropa e Lirë se çdo gjë “ende varet nga vendimet e Kosovës”, duke lënë të kuptohet se ky vit mund të mos jetë vit i liberalizimit të vizave. Ai theksoi se një standard nuk është përmbushur, duke shtuar se “ju takon kosovarëve që ta zgjidhin këtë”.

    “Ky është një kusht që ne nuk mund ta tejkalojmë dhe tani varet nga ta. Nëse kjo zgjidhet ashtu siç duhet, atëherë do të ketë një raport pozitiv nga ana jonë, pra nga Komisioni. Pastaj i takon Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian të marrin vendime të nevojshme”, tha komisionari Hahn.

    Komisioni Evropian në fillim të muajit maj hapi rekomandimin e tij për liberalizim të vizave me Kosovën, duke theksuar dy kushtet e rëndësishme: demarkacionin me Malin e Zi dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit.

    Me tërheqjen e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë afat kohor se kur do ta riprocedojë në Kuvend sërish dhe nëse do të arrijë paraprakisht një marrëveshje me opozitën për këtë çështje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme