Janë zbuluar të tjera detaje në lidhje me 7 grupet kriminale në Tiranë që falsifikonin pasaporta dhe mjete identifikimi. Aktivitetin e jashtëligjshëm Eno Muçollari dhe bashkëshortja e tij e kryenin në banesën e tyre, të cilën tashmë e kishin kthyer në një laborator për falsifikimin e dokumenteve. Kjo banesë ndodhet në zonën e “Kodrës së Diellit” në kryeqytet.
“Lirija shkoi më 16 janar në Itali dhe kur u kthye 4 ditë më vonë në bagazhe iu gjetën materiale si letra plastike, kartona si ato të kartave të identitetit. Apartamenti është mbajtur në vëzhgim për 2 muaj. Janë kapur dhe biseda telefonike dhe video përgjime,” thotë gazetarja Dorjana Bezat për BalkanWeb.
Grupi kriminal trafikonte klandestinë me pasaporta false për në Angli, SHBA dhe Kanada. Deri më tani janë arrestuar 39 shqiptarë, ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mega-operacioni u finalizua të shtunën nga Policia e Shtetit, ndërsa u prenë lidhjet e shqiptarëve me 7 grupe kriminale që vepronin në të gjithë Evropën. Mes arrestur janë edhe 4 punojës të policisë së Hani dhe Hoti dhe të Qafë-Thanës. Të arrestuarit për shpërdorim detyre janë: Çelnik Maksuti, 53 vjeç, me detyrë kontrollor në P.K.K. Qafë Thanë, Ilir Ismaili, 32 vjeç, me detyrë kontrollor në P.K.K. Qafë Thanë, Erjon Maxhari, 28 vjeç, me detyrë kontrollor në P.K.K. Qafë Thanë, Gjokë Ujkaj, 46 vjeç, me detyrë kontrollor në P.K.K. Hani i Hotit Shkodër.
ITENERARET QË PËRDORNIN PËR TË TRAFIKUAR SHQIPTARET
• Shqipëri – Itali – Mbretëri e Bashkuar
• Shqipëri – Francë – Mbretëri e Bashkuar
• Shqipëri – Bullgari – Belgjikë – Republika Domenikane – SHBA / Kanada
• Shqipëri – Spanjë – Amerika Latine – SHBA/Kanada
Gjatë operacionit për arrestimin e 39 shqiptarëve u mësua se, për të shkuar në Angli shqiptarët duhet të paguanin 7 mijë paund, ndërsa për të shkuar në SHBA ose Kanada ata duhet të paguanin 25- 30 mijë dollarë
Policia shqiptare bën me dije se për shkatërrimin e këtij grupi kriminal një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe 2 agjentët speciale të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit.