Fatmir Lama, gazetari që u kërcënua nga bashkëpunëtorët shqiptarë të UDB – së

Thirrje për një ligj për lustracion dhe një dokumentar i ri që zbulon emra të bashkëpunëtorëve shqiptarë të regjimit jugosllav, ngrenë pyetje mbi vullnetin e Kosovës për t’u marrë me të kaluarën e turbullt.

 Pesë vjetët e fundit Fatmir Lama ka kaluar orë të panumërta duke kërkuar nëpër arkivat e Kosovës dhe duke takuar individë që kanë përjetuar Luftën e Dytë Botërore dhe regjimin komunist jugosllav. Producenti televiziv 73-vjeçar ka kaluar të gjitha orët e ditës duke shkartisur nëpër kuti arkivore, duke intervistuar njerëz dhe me durim duke montuar serinë e vet të dokumentarëve “Rrëfime për Kosovën”.

Pasi që KTV-ja kishte transmetuar episodin e parë të sezonit të dytë në shkurt, i cili merret me krimet e bëra ndaj shqiptarëve pas LDB-së dhe bashkëpunëtorët shqiptarë të regjimit, Lama kishte pranuar një mesazh nga një numër i panjohur, në të cilin një person i thoshte se kishte “materiale” për t’i dhënë.

Ai kishte thirrur numrin, por jo para se të shtypte sustën për të incizuar telefonatën.

“E kisha një ndjenjë – një intuitë,” shpjegoi Lama, një burrë i vjetër gazmor që mban syze, dokumentarët e të cilit kanë mbledhur jo më shumë se disa mijëra shikime në YouTube. Kishte pasur të drejtë – telefonata do të ishte kërcënimi i tij i parë me vdekje qëkur kishte filluar të transmetonte dokumentarët e tij në 2014-ën.

Në telefon, një burrë qartazi i mllefosur kërcënoi Lamën dhe e përgjëroi atë të hiqte të gjitha përmendjet e babait të tij nga episodi, i cili nxjerr dokumente arkivore që listojnë Bislim Vatovcin, një drejtor shkolle, si një bashkëpunëtor të sigurimit shtetëror jugosllav (UDB). “Mos i nxirr vetes problem me kond,” kishte bërtitur telefonuesi, përderisa Lama provonte ta qetësonte pa sukses.

“Deri sa muhabeti, historia qëndron në gojëdhënë, nuk i pengon askujt ngase jemi mësuar, goja qet lloj-lloj fjalësh. Në momentin që ti e zyrtarizon, institucionalizon atë të dhënë dhe gjen fakte, kjo i futë njerëzit në siklet”, Nora Ahmetaj

Kërcënimi nuk ishte shokues për Lamën, i cili e kishte ditur se mund të nevrikoste ndokënd me sezonin e ri, që përfshin dokumente arkivore për bashkëpunëtorët shqiptarë dhe intervista me të burgosur politikë që ishin torturuar përgjatë regjimit jugosllav.

Rasti është raportuar në polici dhe Prokuroria e Shtetit është duke i marrë këto kërcënime seriozisht. Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka vendosur të emërojë një kordinator për rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve, apo aktet tjera kriminale që u pamundësojnë punën e tyre.

Fatmir Lama

Më shumë sesa gjendjen e pasigurt të lirisë së mediave në Kosovë, kërcënimet kundër Lamës parashohin vështirësitë që do përcjellin diskutimin e shkeljeve të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist jugosllav.

“Ka me sjellë pak turbullim te brendshëm,” shpjegoi ish-ombudspersoni dhe ish i burgosuri politik Sami Kurteshi.

Nuk ka të dhëna të sakta, por disa nga dëshmitarët ne dokumentarin e Lamës thonë se 500,000 shqiptarë ishin marrë në pyetje nga policia shtetërore e Jugosllavisë. Shumë shqiptarë kanë punuar për shërbimet e sigurimit që torturuan dhe burgosën disidentë politikë të cilët kërkonin të drejta kombëtare për shqiptarët e Kosovës. Shumë të tjerë, ngjashëm me rastet në regjimet tjera komuniste në Europën Qendrore, spiunuan fqinjët dhe miqtë e tyre, duke shpier në arrestimin dhe burgosjen e tyre.

“Nuk ka familje në Kosovë që nuk është prekë nga regjimi serb,” tha Kurteshi, i cili kishte qenë i burgosur nga viti 1983 deri në vitin 1990.

Tash, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, KMDLNJ, është duke kërkuar që Kosova të miratojë një ligj për lustracionin, shqyrtimin e zyrtarëve të lartë dhe hapjen e dosjeve jugosllave, me shpresë që të zbardhen aktet kriminale dhe shkeljet e të drejtave njerëzore që kanë ndodhur para luftës së vitit 1999.

“Luftës në Kosovë i ka paraprirë një shkelje masive dhe e gjatë e të drejtave të njeriut në Kosovë (nga viti 1945 – 1998) që llogaritet si periudhë e krimeve të komunizmit e që ka përfunduar me një gjenocid të hapur gjatë viteve 1998 – 1999. Shqiptarët dhe joshqiptarët që e kanë kundërshtuar komunizmin në ish – Jugosllavi dhe Serbi u janë nënshtruar krimeve të pashembullta dhe deri sot nuk kanë pasur mundësi që përmes sigurimit të qasjes në dosjet e së kaluarës, të informohen për persekutuesit e tyre të ‘padukshëm’ që sot edhe mund të jenë bartës të posteve publike në Kosovë,” shkruan KMDLNJ në një deklaratë të lëshuar gjatë shkurtit.

“Nxjerrja e së vërtetës s’ka me qenë e vështirë. Se na e bartim të vërtetën”, Sami Kurteshi

“Lustrimi dhe nxjerrja e së vërtetës janë dy gjëra të ndryshme,”  thotë Kurteshi, duke shpjeguar se lustracioni ka të bëjë me pastrimin e figurave të larta për të hequr dyshime që kanë bashkëpunuar me regjimin e kaluar.

Disa nga vendet e Bllokut Lindor kanë arritur që t’i hapin dosjet, përderisa në Shqipëri, një komisioni të ri i është dhënë përgjegjësia për të hapur dosjet e Sigurmit-policisë shtetërore të Enver Hoxhës.

“I takoj gjeneratës që po ndjej obligim me e pasqyru të vërtetën për një periudhë për të cilën s’po flitet më”, Fatmir Lama

Maqedonia kishte hedhur poshtë ligjin e vet për lustracionin në vitin 2015, derisa republikat tjera jugosllave s’kanë arritur ta nisin procesin fare.

“Lustrimi te ne ka me qenë problematik, sepse dosjet s’i kena – i ka Serbia. Ne i kemi burimet sekondare, për nxjerrjen e disa dosjeve që janë në Shkup, Podgoricë,” shpjegon Kurteshi, duke shtuar që megjithatë, dosjet nuk e përfaqësojnë të vërtetën e plotë.

“Dokumentet  e bartin vetëm të vërtetën zyrtare, që është e vërtetë e cungume në forma të ndryshme, se atë në mënyrë të qëllimshme e formuloi UDB-ja”,

“Nxjerrja e së vërtetës s’ka me qenë e vështirë. Se na e bartim të vërtetën,” tha Kurteshi duke bërë me gisht kah vetja, “në shpirtat tonë, në kokat tona.”

Dokumentarët e Lamës, që janë pjesërisht hulumtim arkivor, pjesërisht histori gojore, janë një tentativë për të zbardhur këtë të vërtetë.

“I takoj gjeneratës që po ndjej obligim me e pasqyru të vërtetën për një periudhë për të cilën s’po flitet më,” tha Lama, i cli ishte rrahur dhe marrë në pyetje nga udbashët shqiptarë kur kishte qenë nxënës i shkollës së mesme.

Ai kujton një natë në vitin 1962 kur ishte torturuar tërë natën sepse dyshohej të kishte një libër të Stalinit të botuar në Shqipëri – një gjë e ndaluar – kur ishte 16 vjeç.

Familja e Lamës kishte vuajtur shumë me ardhjen e komunizmit në pushtet: si një familje e pasur tregtare nga Gjakova, ata kishin humbur pronën e tyre nga nacionalizimi dhe kontaktet me familjen e tyre në Valbonën fqinje u ishin ndërprerë komplet.

Shoku i klasës i Lamës, Masar Nuzamala ishte vrarë në moshën 13 vjeçe për shkak se kishte kënduar një këngë nacionaliste.

“Tek kur e kom gjetë dokumentin e kam zbuluar që atë e ka vra UDB-ja,”  thotë Lama, vëllai i të cilit kishte kaluar dy vjet në burgun famëkeq të Goli Otokut, i vendosur në ishullin e shkretë kroat.

Dokumentarët e Lamës publikojnë për herë të parë dokumente arkivore – siç janë raporti për Komitetin Krahinor të Kosovës mbi “deformimet” e komunizmit gjatë kohës së Aleksandar Rankoviqit, udhëheqësit të UDB-së deri në 1966-ën. Qindra faqet që i ka gjetur Lama në arkivat gjithandej Kosovës përmendin emra të bashkëpunëtorëve të policisë, të cilët ndonëse kishin keqpërdorur detyrën e tyre, nuk kishin pasur pasoja me vite të tëra.

“Ne jemi shoqëri e gojëdhënave, nuk e kemi traditë lapsin e letrën,”  shpjegon Nora Ahmetaj, eksperte e drejtësisë tranzicionale dhe aktiviste e drejtave të njeriut.

“Deri sa muhabeti, historia qëndron në gojëdhënë, nuk i pengon askujt ngase jemi mësuar, goja qet lloj-lloj fjalësh. Në momentin që ti e zyrtarizon, institucionalizon atë të dhënë dhe gjen fakte, kjo i futë njerëzit në siklet,” thotë Ahmetaj, themeluese e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, QHDP që kishte hasur në hezitime të ngjashme kur kishte hulumtuar çështje sensitive, sikur përdhunimet gjatë kohës së luftës në Kosovë.

“Kërcënimet janë më e pakta që mund të bëjnë individë të caktuar, ngase ata e kanë problem ballafaqimin me një fakt, ai fakt i trazon, i shqeteson, u kërkon përgjigje dhe përgjegjësi,” shtoi ajo.

Vetë historia familjare e Ahmetajt përmban persekutime politike. Xhaxhai i babait të saj është vrarë në masakrën e Gjilanit të vitit 1944, kur partizanët jugosllavë kishin masakruar popullatën lokale pas çlirimit të qytetit kufitar nga okupimi gjerman. Enver Tali, i mbijetuar i masakrës dhe disident dhe aktivist i njohur politik, është po ashtu kushëri i Ahmetajt.

“Një vit para lindjes sime, gjatë demonstratave te 68-ës, ka pasë bastisje në shtëpinë tonë,” thotë Ahmetaj duke shtuar që zbulimi i së vërtetës dhe marrja me të kaluarën është “e domosdoshme.”

“Është nënkuptuar që [UDB-ja] udhëhiqet nga strukturat jugosllave, respektivisht serbe dhe se aty janë shumica serbë, por gjithmonë në negativ është folë për udbashët, shqiptarët e Kosovës që kanë punu aty,” tha Ahmetaj duke kujtuar sa shumë rëndësi i kishin dhënë prindërit e saj me kë shoqërohej.

“Theksi është vënë gjithmonë tek ata, se si nuk i janë lojalë kauzës kombëtare,” shpjegon Ahmetaj.

Familjet e punëtorëve shqiptarë të UDB-së përjashtoheshin nga komuniteti i tyre dhe kjo stigmë vazhdon deri më sot. Kjo edhe mund ta shpjegojë se pse kërcënuesi i Lamës do të kërkonte tërheqjen e emrit të babait të tij nga filmi.

“Dialogu historik do të thotë që të gjitha institucionet dhe shoqëria civile duhet ta përmbushin njëra-tjetrën dhe kjo merr kohë, mos të mashtrohemi…Duhet të dihet e vërteta me fakte të dokumentuara. Duhet saktësisht te dihet dhe dokumentohet se kush ka dhënë për këtë vend, ka sakrifikuar dhe kush ka bashkëpunuar me regjimet për një jetë më të begatë,” tha Ahmetaj. “Një shoqëri e mbyllur dhe e cila indoktrinon popullatën me narrativa të shtrembëruara nuk e çon shoqerinë nga demokratizimi”.

Sami Kurteshi

“Të vetmit njerëz që nuk janë të gatshëm me u marrë me të kaluarën janë fajtorët dhe kriminelët,” deklaroi Kurteshi. “Kjo nuk ka të bëjë me nxjerrjen e së vërtetës, por me fshehjen e krimit.”

Kurteshi është përkrahës i zëshëm i një iniciative institucionale për t’i shqyrtuar zyrtarët e lartë dhe thotë se plot prej tyre që kanë torturuar bashkë-aktivistët e tij ende shërbejnë në sistemin juridik sot.

“Nuk dua hakmarrje personale,” tha Kurteshi, duke shtuar se viktimat mund të kenë qenë të gatshme për t’i falë keqbërësit. Por ai nuk sheh vullnet nga partitë politike në pushtet për të nisur një proces të tillë.

“Askush nuk mund të thirret sot në faktin se unë e kam zbatu ligjin,” kërceu Kurteshi, duke shtuar se pasi që iu bashkua Kombeve të Bashkuara, Jugosllavia ishte nënshkruese e të gjitha konventave të të drejtave të njeriut që ndalojnë torturën.

“Qoftë pas Luftës së Parë, qoftë pas Luftës së Dytë Botërore, qoftë pas luftës së fundit, fshehja e krimit është bë një traumë shoqërore. Nuk është që nuk jemi të gatshëm, çështja është se kriminelët janë në pushtet.”

Së fundi, Presidenti Hashim Thaçi ka zbuluar planet e tija për të themeluar një komision për të vërtetën dhe pajtimin, i cili do të merrej me krimet e kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës së 1998-99.

Kurteshi është kritik dhe e quan këtë një tentativë të dëshpëruar të Thaçit për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, duke thënë se “s’ka asgjë këtu me pajtimin, as bazë institucionale as ligjore.”

“Në fund të fundit, na të vërtetën duhet me nxjerrë, jo për hir të së vërtetës por për luftimin e krimit,” tha Kurteshi. “E vërteta e popullit duhet me u vjellë siç ka ndodhë në Gjermani pas luftës.”

I ulur në dhomën e montimit të rrethuar me xhama, Lama është i vendosur të vazhdojë hulumtimin e tij.

“Une jom për mu bë lustracioni. Lustracionin e shoh si shpëtim kombëtar. Le të dihet kush, kur çka ka qenë, kush kujt i ka shërby. Në këtë mënyrë vijmë te një udheheqje në Kosovë, e njerëzve të ndershëm e jo të matrapazëve,” thotë Lama me ngulm./Gazeta Jeta në Kosovë

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme