Fatmir Sejdiu kthehet për t’ju ‘hakmarrë’ Isa Mustafës, prapa ka familjen Rugova?

Fatmir Sejdiun mund ta ketë kërrusur pak mosha dhe mund t’ia ketë shtuar rrudhat në fytyrë, por duket se ai ndjehet mjaftueshëm vital për të marrë përgjegjësi dhe për t’u kthyer në përditshmërinë politike.

Dëshira e tij për t’ju hakmarrë Isa Mustafës, ndërkaq, thuhet se është më e fuqishme se gjithçka tjetër.

Ai po rikthehet fuqishëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe tashmë publikisht ka shprehur gatishmërinë që të kandidojë për lider të saj.

“Siç kam thënë disa herë, unë e kam shprehur gatishmërinë time që ta marr përgjegjësinë e udhëheqjes së LDK-së. Deri në ditën e mbajtjes së Kuvendit, unë do t’i analizoj të gjitha rrethanat lidhur me kandidaturën time. Ato, siç edhe është rregulli, paraqiten në Kuvend”, ka deklaruar Sejdiu.

Burimet thonë se Fatmir Sejdiu ka punuar shumë në terren dhe ka arritur që prapa vetes ta mbledhë një numër serioz të delegatëve, që më 3 gusht në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së do të votojnë për Kryetarin e ri.

Sejdiu, siç pohohet, mund të jetë përcaktues për zgjedhjen e Kryetarit të LDK-së, ndërsa duket pak e mundur që të fitojë ndonjëri krah, pa një marrëveshje me të. Në krah të tij, thuhet se është rreshtuar edhe Familja Rugova.

Marrëdhëniet e Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës ishin shkatërruar në nëntorin e vitit 2010, kur në Kuvendin e VII Zgjedhor të LDK-së, ndonëse ishte deklaruar se nuk bën betejë me shefin e tij Sejdiun, Mustafa kishte hyrë në garë dhe kishte fituar përballë Sejdiut.

Këtë, Sejdiu e kishte konsideruar si “hap tinëzar” dhe si “thikë pas shpine”. Që nga ajo kohë, Sejdiut nuk i është zbutur inati. Pothuajse një dekadë më pas, ai është mobilizuar fuqishëm për t’iu hakmarrë Isa Mustafës.

Gara për kreun e LDK-së është duke u zhvilluar ashpërsisht në terren, ndërsa procesi i brendshëm zgjedhor i saj është sheqeruar me tension nëpër degë të ndryshme, me rrahje dhe hedhje karrigesh. Kjo po bën që Kuvendi Zgjedhor të pritet në ethe.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme