FBI vizitë zyrtare në Kosovë

Atashetë për çështje ligjore në zyrën e FBI-së, Jack H. Liao, Daniel J. Yocca, dhe Andreë de la Rocha po qëndrojnë në Kosovë me ç’rast janë pritur nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

Ky takim u mbajt në kohën kur pritet të nënshkruhet Marrëveshja për Shkëmbimin e Informacionit për Verifikimin e Terrorizmit, në mes të  Kosovës dhe SHBA-së dhe në kohën kur ky ekip i FBI-së, i cili mbulon Republikën e Kosovës, po e ndryshon selinë, ku nga Sarajeva do të vendosen në Sofje të Bullgarisë.  Gjatë këtij takimi zëvendësministri Hoxha i informoi zyrtarët e FBI-së lidhur me mekanizmat e ndërtuar në funksion të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme, ndërtimin e legjislacionit primar, sekondar, Strategjitë Kombëtare dhe bashkëpunimin rajonal.

Po ashtu zëvendësministri Hoxha i njoftoi zyrtarët e FBI-së lidhur me  rolin dhe mandatin e MPB-së, autoritetet e përfshira në kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, detyrat dhe aktivitetet që kryhen, bashkëpunimin me autoritetet e zbatimit të ligjit, si vendore dhe ndërkombëtare, sistemet e vendosura, zbatimin e masave në kufi lidhur me kontrabandimin me migrantë, masave anti-terror, masave anti-korrupsion, shkëmbimin në kohë reale të informatave, inteligjencën dhe hetimet e përbashkëta, shfrytëzimin e bazave të të dhënave ndërmjet autoriteteve dhe mekanizmin që bashkërendon këto aktivitete 24/7 që është QKMK, e cila është e vendosur në objektin e MPB-së.  Gjatë kësaj vizite, zyrtarët e FBI-së u ndanë të kënaqur me progresin e arritur nga mekanizmat e Sigurisë të Republikës së Kosovës, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit që është kusht për bashkërendim efikas dhe efektiv në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme që ndodhin si në kufi dhe brendi të territorit. Ata konfirmuan përkrahjen e tyre dhe projekteve që mbështeten nga Ambasada Amerikane, në zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave të sigurisë në Kosovë.