Nga 206 pjesëtare femra, të cilat mbajnë të veshura uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, disa prej tyre janë kolonele, nënkolonele, majore, kapitene, etj
Dyqind e gjashtë femra kosovare mbajnë të veshur uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prej tyre ka me grada kolonele, nënkolonele, majore, kapitene, etj.
Me shkollim të kryer edhe në akademitë ushtarake të botës ato po shërbejnë në kuadër të FSK-së duke u përballur me sfidat për t’iu përshtatur situatave të veçanta që kërkon misioni ushtarak.
Nënkolonele Arife Halili, oficere e FSK-së me detyrë në Departamentin e Personelit në Komandën e Forcave Tokësore, thotë për “Zërin” se motivi i saj për të qenë pjesë e uniformës ka filluar para 19 vjetësh, me angazhimin e saj në spitalin ushtarak në Likofc, në shërimin e plagëve të ushtarëve të UÇK-së.
Pas përfundimit të luftës, Halili thotë se ka shërbyer në Batalionin e 40-të të Mjekësisë në TMK, dhe me transformimin e këtyre trupave ajo sistemohet në FSK në Komandën e Forcave Tokësore në departamentin e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak, ku në vitin 2016 është promovuar në gradën e Nënkolonelit.
“Emancipimi i femrave lidhet ngushtë me rritjen e pjesëmarrjes së femrave sidomos në fushën e sektorit të sigurisë. Femrat vazhdojnë të jenë në numër të vogël të përfaqësimit në FSK, duke i krahasuar me numrin e tyre në shoqëri. Edhe pse numri i përfaqësimit të femrave në FSK nuk është i kënaqshëm, është shumë e rëndësishme që FSK-ja ofron mundësi të barabarta si për meshkuj dhe femra, jo vetëm në sektorin mbështetës por edhe në atë operacional dhe vendimmarrës”, thotë ajo.