Sadri Ferati, deputet i LDK-së, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se rendi kushtetues e tregon më së miri se kush dha urdhrin për aksionin e ROSU-s në veri për ta ndalë trenin.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte thënë të ketë dhënë urdhrin për aksionin e ROSU-s për ndaljen e trenit në veri të Kosovës, por deputeti i LDK-së, ka thënë se rendi kushtetues tregon se kush dha urdhër për këtë aksion.
“Përgjegjësitë kushtetuese dihen. E nënçmojmë situatën nëse fillojmë të merremi me emra se kush e dha urdhrin. Por rendi kushtetues e tregon më së miri. Mirëpo ka qenë aksion i koordinuar mes presidentit, kryeparlamentarit e kryeministrit, por unë e di se aksionin e kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës”, ka thënë Ferati.
Thaçi në një tjetër postim në Facebook, kishte shkruar se institucionet e Kosovës neglizhuan situatën me trenin e Beogradit. Kësaj i është kundërpërgjigjur Ferati, i cili ka thënë se Thaçi është dashur të tregojë se kush e neglizhoi situatën me trenin.
“Thaçi është dashur ta thotë se kush neglizhoi. Unë kam dëgjuar se ai flet për një numër, por nuk besoj se mund të jetë vetëm në vetën e parë. Nuk besoj se kanë fjetur institucionet e Kosovës”, ka thënë Ferati.
Ferati në emisionin “Interaktiv” ka thënë se një “shkëndijë e vogël” për trenin, ka mundur të rrezikojë të gjitha rezultatet e arritura me dialogun me Serbinë.
“Kosova është situatë e ndjeshme dhe veriu posaçërisht. Një shkëndijë e vogël mund të rrezikojë gjitha rezultatet e arritura deri më tani dhe sigurisht që një eskalim të shkrepjes së armëve ka mundur të ndodhë. Këtë e dinë më mirë policia, por nuk duhet të mohet se ka mundur të ndodhë një konflikt që do të mund të kishte sjell pasoja për të gjitha proceset e Kosovës”, ka thënë veç të tjerash Ferati.
© KOHA.