Fermerët e Lushnjes kanë dalë sot në protestë për të protestuar për subvencionet, rritjen e çmimit të karburantit dhe plehrave kimikë. Protesta u organizua në rrugën në Urën e Kuçit në rrugën nacionale Lushnjë – Berat.
Ata kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë subvencionim të drejtë, pasi sipas tyre skema aktuale po i detyron ata të largohen nga Shqipëria. Një fermer thotë se rreth 30% e serave në Lushnjë janë lënë në harresë.
Fermerët u ulën në tokë duke protestuar dhe për këtë arsye Policia u detyrua të bllokojë aksin Lushnjë-Berat, ndërsa u shkaktua edhe trafik.
Me pankarta në duar, fermerët kërkojnë rritjen e buxhetit të shtetit për bujqësinë, rimbursimin për njësi prodhimi për kulturat bujqësore, rimburësimi për çdo litër qumësht.
Ata thonë se e kanë të pamundur të konkurrojnë me tregun rajonal, pasi pikat e grumbullimit e marrin qumështin nga Serbia ose Maqedonia e Veriut.
“Kam ardhur nga Kurbini, si gjithmonë kërkojmë të drejtat tona të trajtohemi në mënyrë të barabartë si fqinjët tanë, kërkojmë subvencionim të drejtë, jo t’i marrin taksa fermerit të vogël dhe t’ia japin fermerit të madh. Kjo po bën që shumë blegtorë ta braktisin Shqipërinë, 30% e serave këtu janë lënë pa punuar prej taksës 10% të imputeve bujqësore. Eksportuesit kryesore të prodhimeve bujqësorë janë këta që ministria e bujqësisë i çuan fermerë të vegjël”, tha një protestues.