Lirohet Fero pasi u arrestua për sulm, flet avokati i tij.
Reperi Feronit Shabani, i njohur si Fero, është liruar nga paraburgimi, pasi u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm”.
Lajmin për lirimin e Feros ka konfirmuar avokati i tij, Ilir Shaqiri.
Shaqiri tha për Express se sot kanë pranuar aktvendimin nga Gjykata Themelore e Gjilanit, ku thuhet se Feros i është ndëprerë masa e paraburgimit.
Reperi nga Gjilani, sipas avokatit të tij, është liruar pasi ai e ka pranuar fajësinë dhe kanë arritur dakordësi me palën e dëmtuar.
“Kjo vjen në sajë të pranimit të fajësisë nga i pandehuri. Siç e dimë të gjithë ngjarja e shkaktuar ka ndodhur nga një provokim, jo vetëm me muzikë por edhe me gjeste që ka çuar deri edhe në agresivitet. Fero është shprehur i penduar për atë që ka bërë dhe kështu kanë arritur në një dakordësi dhe janë pajtuar”, tha avokati Shaqiri.
“Dënim do të ketë. Ne po e presim vendimin final ku do të na kumtohet se me çfarë dënimi do të dënohet ai”, tha Shaqiri.