Fevziu paralajmëron pronarët e mediave: Po na zëvendësoni me bandën e servilëve, por do ju shoqerojnë në funeral

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion” në një intervistë të dhënë për Syri.net ka folur për gjendjen e mediave dhe zgjidhjet që po bëjnë pronarët e televizioneve dhe gazetave, duke larguar nga puna profesionistët dhe duke u dhënë dorë në drejtimin e mediave, njerëzve të paaftë, por servilë.

Çim Peka: A keni një KOMENT mbi atë që po ndodh me kolegët tuaj, rasti Shkullaku dhe Lela? Po me atë që po ndodh me “ABC”, një TV informativ që ka të njëjtin pronar me TV “Klan”?

Personalisht jam kundër largimit të gazetarëve, përderisa kjo motivohet me ndryshimin e linjës editoriale. E lexova edhe argumentimin e {ilit, i cili është botuesi im dhe me të cilin për shumë gjëra ndaj opinione të ngjashme. Por besoj se e ka gabim. Nuk ka gazetë apo media në botë që të ndryshojë linjën editoriale më 1 Janar apo çdo 4 vjet. Asnjë të vetme. Linjat editoriale janë konsoliduar në dhjetëra vite dhe lidhen me orientimin ideologjik të këtyre mediave. Unë e di që identifikimi ideologjik nuk është i qartë as tek partitë në Shqipëri, e si pasojë, shpesh orientimi ideologjik zëvendësohet me linjë editoriale pro politikanëve konkretë. Ky është gabim, por kjo nuk zgjidhet duke ndërruar linjën editoriale çdo javë.

Media nuk është biznes klasik dhe ky është një keqkuptim i madh. Nuk është një biznesmen që mbledh ca persona dhe me ta bën një gazetë a një tv. Dhe këta nuk janë punëtorët e tij. Mediat janë projekte kolektive, me interes publik që padyshim financohen nga biznesmenë apo kompani. Personat që përbëjnë këtë projekt janë kryesisht personalitete në fushat dhe profilin e tyre. Kanë opinionet dhe përqasjen e tyre ndaj temave apo fenomeneve. Mediat janë një ansambël dhe funksionojnë vetëm si të tilla. Vite më parë, Tv Klan kishte një bashkëpronar, një ndër biznesmenët më interesantë dhe më me bonsens që kam njohur, i cili ishte peng i një keqkuptimi të madh. Thoshte: “sot e mbajmë linjën kështu dhe nesër e bëjmë ashtu, në bazë të interesit ekonomik që kemi”. E thoshte me aq sinqeritet, sa as nuk qeshje dot. Si pasojë humbi gjithçka kishte në media.

Në fakt, fenomemi i zëvendësimit të gazetarëve me personalitet me persona anonimë dhe që nuk reflektojnë asgjë veç orientimeve që ju jepen, ndodh, por ky është fundi i një medie. Edhe pse fundi nuk vjen përnjëherë, do kohë, ai është i pashmangshëm. Nga gabimi yt përfiton rivali dhe një ditë ti e sheh veten në këmbët e një mali që nuk e ngjit dot me stafin që ke. Ata që të ndjekin pas janë të mirë për të të argëtuar, por nuk dinë të ndërtojnë një barrikadë mediatike. Ditën që ke nevojë nisen të argetojnë pronarin e rradhës. Ajo është padyshim Banda më e mirë për të shoqëruar në funeralin tënd profesional.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme