Gazetar: Avni Tahiri
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, drejtoi akuza të ashpra ndaj ish-funksionarëve të partisë që janë bërë pjesë e platformës “Biseda për të ardhmen në 12:05”. Ai i ka cilësuar “skematistë” dhe “puçistë”, duke pretenduar gjithashtu se pas kësaj nisme qëndron kryeministri Hristijan Mickoski ndërsa kundërshtarët e tij i quajti “satelitë të Mickoskit”, të cilët do të bënin marrëveshje edhe me djallin për të realizuar qëllimet e tyre. Ai theksoi se LSDM-ja, siç u shpreh, gjithmonë ka ndjekur politika në interes të shtetit dhe se përpjekjet për ta përçarë partinë nuk do të kenë sukses. Filipçe kritikoi po ashtu edhe pjesëmarrjen në tribunë të përfaqësuesve të partisë “E Majta”, duke vënë në dukje dallimet në qëndrimet e dy partive për politikën e jashtme.
“Kjo parti ka pasur një zëvendëssekretar të përgjithshëm të NATO-s, ndërsa këta ulen pranë njerëzve që mbanin pankartën ‘NATO vret’. Nuk ka mënyrë tjetër që VMRO-ja të qeverisë, përveçse nëse ne fragmentohemi. Këtë e bënë me ZNAM-in, por ZNAM-i tashmë nuk ekziston dhe njerëzit po kthehen tek ne. Dhe tani ndodhi edhe kjo. A kanë turp këta njerëz? Mendojnë se kjo do u kaloje? Do të na jepnin ofertë se çfarë të bëjmë. Unë e di se çfarë shkruan aty pasi është e shkruar nga “Pallati i bardhë”, deklaroi Venko Filipçe – Kreu i LSDM-së.
Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, tha se partia e tij nuk ka kohë për “cirkun” e opozitës. Sipas tij, pushteti po punon për realizimin e projekteve dhe për përmirësimin e kushteve për qytetarët, ndërsa në LSDM po zhvillohen përplasje të brendshme.
“Në opozitë, në vend të konsolidimit dhe të menduarit se çfarë do t’u ofronin realisht qytetarëve, po ndodh një cirk. Nga njëra anë janë Venko Filipçe dhe mbetjet e LSDM-së, ndërsa nga ana tjetër ish-funksionarë të LSDM-së, por edhe funksionarë aktualë, po pozicionohen kundër Filipçes. Dhe në gjithë këtë cirk, Filipçe, në vend që të merret me detyrat e shtëpisë, akuzon VMRO-DPMNE-në. Për sa kohë që për Filipçen fajtorë janë vetëm të tjerët, LSDM-ja vështirë se mund të dalë nga fundosja”, tha Brane Petrushevski, deputet i VMRO DPMNE.
Kritikat e kreut të LSDM-së, Venko Filipçe, u drejtuan ndaj përfaqësuesve të platformës “Biseda për të ardhmen në 12:05”, ku bëjnë pjesë ish-funksionarët e LSDM-së: Igor Ivanovski, Nikola Qurçiev, Andrej Petrov, Emilijan Stankoviq dhe Gordan Georgiev, si dhe deputetja aktuale dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. Platforma këto ditë publikisht ka kërkuar ndryshime strukturore në LSDM, duke theksuar njëkohësisht se nuk ka për qëllim të shndërrohet në një parti të re politike./Alsat.mk.
The post Filipçe iu kundërpërgjigj ashpër ish bashkëpartiakëve të tij nga Platforma 12:05 appeared first on Alsat.



