Norvegjia ka publikuar listën me tre filmat që mund të nominohen nga ky shtet për çmimin “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”, në Oscars të këtij viti. E në mesin e tyre është edhe filmi “Hunting Flies”, i regjisorit shqiptar Izer Aliu.
Lista është publikuar nga Qendra e Kinematografisë së Norvegjisë. Në garë me filmin e Izer Aliut janë edhe “Thelma” me regji të Joachim Trier dhe “Jorunn” nga Myklebust Syversens. Njëri nga ta do ta përfaqësojë Norvegjinë në Oscars.
Rikujtojmë se Izer Aliu së fundi fitoi çmimin si regjisori më i mirë në ceremoninë e Amandas Awards në Norvegji, ndërsa tashmë është në përgatitje të filmit tjetër të ri me një kastë aktorësh nga Kosova dhe jo vetëm.
Filmi “Hunting Flies”, i xhiruar në Maqedoni, është dramë që trajton ngritjen dhe rënien e diktaturës. Ngjarja zë vend në një klasë, ku gjatë një dite të ngarkuar shikuesi njoftohet me Ganiun (Burhan Ahmeti), mësuesin idealist, i cili humb punën në ditën e parë të shkollës.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Prishtinë, regjisori Izer Aliu tregoi se xhirimet janë kryer në fshatin Kondovë të Maqedonisë, prej nga e ka prejardhjen ai.
Përveç rrugëtimit nëpër festivale, me “Hunting Flies” Aliu po finalizon edhe një film tjetër që është bashkëpunim mes Suedisë e Norvegjisë, i cili tashmë është në fazën e montimit dhe pritet të përfundojë kah fundi i këtij viti. Ai zotohet se në vendlindje do të kthehet sërish, për të realizuar projekte të tjera.
Regjisori Izer Aliu u lind më 1982 dhe është regjisor shqiptar me origjinë nga Maqedonia, i cili njihet si njëri ndër regjisorët më të mirë në Skandinavi. Izer Aliu është shqiptar i cili jeton dhe punon prej vitesh në Norvegji, duke vjelë sukseset e punës së tij në kinematografi.
Vite më parë në një listë të nxjerrë nga Radio Televizioni kryesor në Norvegji, NRK, për regjisorët më premtues të kinematografisë norvegjeze regjisori shqiptar doli të jetë në top-treshe.
Aliu përmendet për filmat “To Guard The Mountain”, “Hunting Flies” apo “12 Achievements”. Aliu futet në këtë listë duke u quajtur si regjisor që merret me tema origjinale e ku përzien edhe humorin. /ZËRI/