Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se pasditen e së shtunës në IEVP Lezhë rreth orës 15:33 ka shpërthyer një bombul gazi gjatë gatimit në ambientet e paraburgimit.
Në moment kanë ndërhyrë forcat e policisë për nxjerjen e të paraburgosurve. Sipas këtij institucioni, nga zjarri i ndodhur ka humbur jetën një i paraburgosur Flamur Sula i cili është gjetur i asfiksuar në banjon e dhomës.
Flamur Sula është i denuar me 10 vjet në shkallën e parë për tentativë vrasje.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta të policisë si edhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Gjithashtu po kryhen hetime nga Prokuroria e Lezhës për zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkaq situata është qetësuar dhe po merren masa për normalizim në ambientet e burgut, duke futur të paraburgosurit nëpër dhoma.