Anëtarët e familjes nga Shtimja që ra pre e grabitësve të enjten janë rrëfyer për ngjarjen e së mërkurës ku mbeti i vdekur njëri prej grabitësve, derisa u plagos një anëtar i familjes. Ata tregojnë se hajdutët shkuan direkt e në dhomën e mërgimtarit.
Ata thonë se grabitësit kanë hyrë direkt tek dhoma e njërit prej burrave të familjes, teksa vetëm ai ndodhej në shtëpi.
Në një bisedë me KTV’në të mërkurën, njëra prej anëtareve të familjes nga Shtimja ka rrëfyer ngjarjen.
“Ti llogarite, 3 dhoma janë kanë… e nanës e motrës por ata kanë hyrë direkt e tek dhoma e vëllait”, ka thënë pjesëtarja e familjes që ra pre e grabitësve të mërkurën, teksa një tjetër familjar dëgjohet teksa shprehet se “vetëm vëllai ka qenë në shtëpi” në kohën kur është kryer grabitja.
Një person mbeti i vdekur nga grabitja e kryer të mërkurën. I njëjti dyshohet se bashkë me tre persona tjerë kishin hyrë për të grabitur në shtëpinë e viktimës, gjë që doli të jetë fatale për të.
Siç përshkruan policia, katër personat e dyshuar kishin hyrë për të grabitur në një shtëpi, ku me ç’rast kishin hasur në pronarin e saj. Ky i fundit, në tentativë e sipër për t’i sprapsur grabitësit, ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.
Në ikje, njëri nga grabitësit është zënë nga pronarët e shtëpisë, ku edhe sipas policisë i njëjti është rrahur për vdekje nga ta. I ndjeri dyshohet të jetë diku rreth moshës 40 vjeçare.