Për shkak të kushteve të vështira atmosferike kryeministri Ramush Haradinaj dhe ekipi i tij nuk ka mundur të aterojë sot pasdite në Prishtinë. Haradinaj bashkë më udhëtarët që kanë pasur të aterrojnë në Prishtinë tani janë duke qëndruar në Sofje. Zyrtarë të Qeverisë kanë treguar se po bëhet përpjekje për tu kthyer në Kosovë. Me kthimin e tyre po merren edhe ambasadat që janë në Bullgari.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradianj në këto momente është duke qëndruar në aeroportin e Sofjes së Bullgarisë. Ai nuk ka mundur të aterrojë në Prishtinë, në kohën që ishte paraparë për shkak të motit të vështirë, dhe për këtë është kthyer mbrapa.
Për qëndrimin në Sofje të tij dhe udhëtarëve që ishin në avionin e WizzAir, ka folur zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.
Ajo ka treguar se po behën përpjekje që Haradinaj dhe udhëtarët të nisen për Kosovë.
“ Janë mobilizuar të gjithë. Tash me neve janë duke u marrë ambasada e Kosovës në Bullgari por edhe ajo bullgare. Janë duke u bërë të gjitha përpjekjet që të bëhet kthimi për Kosovë. Nuk është vendosur ende se si të bëhet kjo. Edhe në Bullgari koha nuk është e mirë”, ka treguar ajo.
Gashi ka bërë me dije për Express se Haradinaj nuk dëshiron të kthehet vetëm në Kosovë, por ai insiston që kthimi të bëhet së bashku me udhëtarët që ishin në këtë avion.
“ Ne jemi duke kërkuar zgjidhje për të gjithë. Do të thotë nëse nisemi për Kosovë do të nisemi të gjithë që kemi qenë në avion. Tash nuk dihet ende a do të bëhet kjo me transport rrugorë apo ajrorë”.
Zëdhënësja e Qeverisë nuk ka mundur të thotë sigurt se nëse nesër Haradinaj do të jetë në Kuvendin e Kosovës, kur pritet të votohet Demarkacioni.
“ Me rëndësi tash është veç të bëhet një zgjidhje për tu kthyer në Kosovë. Pra, kjo është e rëndësishme, për të tjerat nuk mund te themi asgjë”, ka thënë ajo për Express.