Shefi i stafit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi ka demantuar raportimet e mediave lidhur me refuzimin e vizës të Haradinajt nga Ambasada Britanike në Prishtinë, për të marrë pjesë në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, i cili në fund të shkurtit do të organizohet në Londër.
Arifi, duke e quajtur të “rrejshme” informacionet në media ka thënë se janë të gatshëm të japin informacione të sakta, por “për shërim shkoni diku tjetër”, ka shtuar ai duke aluduar tek gazeta “Koha Ditore”.
“Informata e rrejshme e Kohës Ditore për vizën e Kryeministrit është shprehje e urrejtjes patologjike dhe tradicionale që keta njerēz kanē ndaj zotit Haradinaj. Shpreh keqardhje që ne nuk mund të ju shërojmë. Ne mundem të ju japim informacione të sakta por për shërim shkoni diku tjetër”, shkruan Arifi në një postim në profilin e tij në Facebook.
Ndryshe, dy javë më parë, edhe Ambasada Amerikane refuzoi t’i japë vizë Haradinajt, duke ia pamundësuan një aktivitet në shtetin e Iowa-s.
Masat e këtilla kanë pasuar disa kohë prej kur kreu i Qeverisë, si dhe presidenti Hashim Thaçi, cytën iniciativën për ta shembur Gjykatën Speciale, pavarësisht se themelimi i saj është bërë në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.