Flavio Barçi i ‘Tirana Parking’ hap tender 485 mijë € për 18 kasa, me vlerë 25 mijë € copa

Teksa brenda 10 ditëve, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar dy herë në ambientet e Bashkisë Tiranë, duke sekuestruar dokumente nga zyra e Financës dhe zyra e Urbanistikës, mos t’ju vijë çudi kur prezenca e tyre të shfaqet në ditët në vijim edhe në zyrën e Drejtorit të “Tirana Parking”, Flavio Barçi.

Një valë e re goditjeje nga SPAK po fryn mbi Bashkinë e kryeqytetit, ku në fokus janë tenderat e këtij institucioni mbi parkimet publike të “Tirana Parking”, që drejtohet nga Flavio Barçi, dhe “Eco Tirana”, që administrohej nga Anjeza Çallpani.

“Tirana Parking” është një institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, që mbulon administrimin e shërbimit të parkimit publik me pagesë.

Parkimet dhe transporti publik janë pjesë nevralgjike në kryeqytet dhe një pikë e debatit të nxehtë për banorët dhe vizitorët e shumtë të Tiranës, qofshin të djathtë apo të majtë në bindje politike.

Kjo pjesë delikate e jetës së përditshme të kryeqytetasve i është besuar Flavio Barçit, djalit të biznesmenit Emin Barçi.

Tashmë, “Tirana Parking” ka hapur një procedurë tenderuese me vlerë prej 454 milionë lekësh të vjetra ose 485 mijë euro, duke synuar të blejë plot 18 kasa vetëautomatike për 10 parkimet publike që ka në kryeqytet, si: sheshi “Skënderbej”, sheshi “Bulevardi i Ri”, sheshi “Kopshti Zoologjik”, sheshi “7 Xhuxhat”, sheshi “Italia”, sheshi “Selman Stërmasi”, sheshi “Pallati i Sportit”, sheshi “Frederik Shopen”, sheshi “Asllan Rusi”, sheshi Kompleksi “Malajzian”.

Me këtë vlerë financiare prej 485 mijë eurosh që është hapur tenderi, përllogaritet që vetëm një kasë vetëautomatike që do të blihet nga administratori i “Tirana Parking”, Flavio Barçi, do të kushtojë më shumë se 25 mijë euro copa.

Ky tender është hapur më 21 korrik 2026, ndërsa pritet që afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave të jetë data 20 gusht 2026, ku pritet të shpallet dhe fituesi.

Tenderi vjen në një kohë kur të gjitha pikat e parkimit publik të Bashkisë së Tiranës janë të pajisura me kasa vetëautomatike.

Tenderi është cilësuar me “Flamur të Kuq” dhe ka indicie të forta për paracaktim të fituesit me qëllim lëvrimin e fondeve financiare, ku një pjesë e tyre do të përdoret për fushatën elektorale që do të zhvillohet në zgjedhjet lokale, pasi Barçi është zyrtar i lartë i PS në njësinë nr. 10.

Por ky nuk është tenderi i vetëm i dyshimtë i “Tirana Parking”.

Në prill 2026, ky institucion ka hapur një tjetër procedurë me vlerë 25 milionë lekë për shërbime që lidhen me sistemin e parkimit në Tiranë.

Kontratat dhe shërbimet e lidhura me mirëmbajtjen e sistemeve të parkimit kanë ngritur pikëpyetje për mënyrën e funksionimit të pajisjeve në terren.

Edhe pse shërbimet janë kontraktuar, parkimetrat në Tiranë vijojnë të mos ofrojnë disa prej funksioneve të parashikuara, përfshirë fiskalizimin dhe pagesat elektronike, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin real të kontratave dhe funksionalitetin e sistemeve të instaluara.

Sipas specifikimeve teknike të tenderëve, parkimetrat duhej të ofronin pagesa me karta bankare EMV, pagesa NFC, VISA, Mastercard, Google Pay, Apple Pay, PayPass, Visa PayWave dhe E-Wallet.

Megjithatë, nga verifikimet në terren rezulton se parkimetrat funksionojnë vetëm me monedha, ndërsa pagesat elektronike nuk janë të disponueshme.

Nëse kjo situatë konfirmohet, lind pyetja nëse pajisjet janë dorëzuar dhe pranuar me të gjitha funksionalitetet e kërkuara nga dokumentet e tenderit.

Gjithashtu mbetet për t’u sqaruar nëse sistemet e vendosura janë në përputhje me kërkesat ligjore për fiskalizimin dhe nëse funksionet e deklaruara në dokumentet teknike janë implementuar realisht në terren.

The post Flavio Barçi i ‘Tirana Parking’ hap tender 485 mijë € për 18 kasa, me vlerë 25 mijë € copa appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme