Në Shqipëri, prokuroria e Posaçme SPAK dhe Gjykata speciale, kishin kaq kohë që e kishin shpallur në kërkim Ermal Beqirin, për skandalin e AKSHI-it ku SPAK thotë se është bërë kërdia me tenderat abuzive. Por edhe pse kishin kaluar kohë që kur Beqiri 44 vjeçar ishte shpallur në kërkim, asgjë nuk dihej për vendndodhjen e tij.
Dhe u desh që Beqiri të bënte një fluturim të dyshimtë duke pilotuar një avion mbi një central bërthamor në Francë, që të zbulohej se ku jetonte i shumëkërkuari.
Çfarë ndodhi në Francë
Ermal Beqiri u kap duke fluturuar në mënyrë të paligjshme mbi një central bërthamor në Francë, ndaj policia po heton pistën e spiunazhit.
Avioni i vogël civil që drejtonte fluturoi nën lartësinë e lejuar mbi centralin bërthamor të Penly-t, në zonën Petit-Caux të departamentit Seine-Maritime. Hetimi hedh dyshime që ai të ketë vepruar për llogari të një personi tjetër.
Sipas informacioneve të publikuara nga gazeta franceze JDD, ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës. Avioni po fluturonte në një lartësi prej rreth 3 700 këmbësh, afërsisht 1 200 metra, kur piloti uli papritur lartësinë në 3 500 këmbë. Kjo e vendosi avionin poshtë kufirit të lejuar për fluturimet mbi një objekt të ndjeshëm si centrali bërthamor.
Forcat Ajrore dhe Hapësinore franceze u njoftuan menjëherë dhe dërguan një mjet ajror për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në departamentin Somme. Në pistë po e prisnin shërbimet e Policisë, të cilat e arrestuan pilotin dhe e dërguan në paraburgim për t’u marrë në pyetje.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti tre pajisje elektronike gjurmimi të prodhuara nga Apple. Këto pajisje përdoren për të përcaktuar vendndodhjen dhe për të ndjekur lëvizjet e personit ose objektit ku janë vendosur. Sipas JDD-së, ky element ka bërë që hetuesit të shqyrtojnë mundësinë se piloti mund të ketë vepruar nën presionin ose urdhrat e një personi tjetër. Kjo mbetet një pistë hetimore dhe jo një përfundim i provuar.
Beqiri është gjykuar me procedurë të përshpejtuar dhe është dënuar me një gjobë prej 7 mijë eurosh për fluturim të ndaluar mbi centralin bërthamor. Më pas ai iu dorëzua Zyrës Qendrore Franceze për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, OCLCO. Policia e Shtetit tha sot se pritet që procedurat të vazhdojnë me ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Akuzat e SPAK në GJKKO
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar Beqirit masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Çfarë tha në mesnatë Policia e Shtetit
Autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit Ermal Beqiri, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ermal Beqiri u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim. Ditën e sotme, e mërkurë, pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë./NOA
The post Përse Ermal Beqiri i tenderave të AKSHI-it pilotoi një avion mbi centralin bërthamor francez? Detajet appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



