Flet doktori i “Ndihmës së Shpejtë”, që ishte në momentet e para në Koçan: Ajo çka pamë ne mjekët ishte e tmerrshme

Sot në “Ftesë në studio” në Alsat, Dr. Sejfulla Ademi, foli  për rëndësinë dhe rolin jetik të Ndihmës së Shpejtë në raste të tragjedive.

Duke folur për rastin tragjik në Koçan, Dr. Ademi përshkroi momentet e para të organizimit emergjent:

“Në natën e kobshme, diku nga mëngjesi, morëm një telefonatë nga Shtabi për Menaxhimin e Krizave dhe u pa e nevojshme të bëhej një koordinim i shpejtë për t’u dalë në ndihmë ekipeve mjekësore të atjeshme, të cilët tashmë ishin organizuar. Katër ekipe erdhën dhe tre ishim në ndërrim që iu dolëm në ndihmë kolegëve. Fillimisht, ishim mjaftueshëm, por situata ishte tejet e rënduar dhe duhej ndihmë edhe nga qytetet tjera”, u shpreh doktori.

Përshkrimi i tij për tragjedinë ishte i dhimbshëm: “Ajo çka pamë ne mjekët ishte e tmerrshme—shumë viktima, shumë lotë nga prindërit, shumë njerëz të djegur”.

Ai ngriti shqetësime serioze mbi kapacitetin dhe funksionimin e Ndihmës së Shpejtë, duke theksuar se:

“Personeli i Ndihmës së Shpejtë është shumë i ngarkuar dhe punon me kapacitet shumë të vogël. Bëj apel deri te institucionet që të punësohet personel i ri dhe të përmirësohen kushtet për të punësuarit, pasi Ndihma e Shpejtë është sektori më i rëndësishëm, kontakti i parë pas çdo fatkeqësie”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu se sipas protokolleve evropiane, Shkupi duhet të ketë 25 ekipe të Ndihmës së Shpejtë, por aktualisht:

“Në ndërrimet e natës jemi vetëm 5 ekipe, ndërsa në ndërrimet e ditës me 6 ekipe të kompletuara me mjek, shofer dhe motër medicionale. Ky është vetëm një e pesta e kapacitetit që duhet të kemi”, u shpreh Ademi.

Në fund, Dr. Ademi bëri apel për qytetarët me sëmundje kronike, duke u kërkuar që të marrin rregullisht terapitë e tyre, pasi në raste emergjente të tilla, është shumë e vështirë t’u ofrohet ndihmë shtesë në kohë./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme