Zymer Krasniqi, emri i të cilit ishte fshirë për t’u shkruar ai i Aleksandër Lumezit në dosjen e provimit të jurisprudencës, nuk e ka idenë se pse ka ndodhur ky falsifikim. Vëllai i Zymerit, Ismeti ka thënë se po presin të zbardhet ky rast. Mohojnë se janë të përfshirë në këtë falsifikim, derisa e lënë të hapur mundësinë që t’i drejtohen EULEX-it për padi ndaj Kryeprokurorit. Zymer Krasniqi aktualisht ndodhet në Gjermani, ndërsa ka ndërruar mbiemrin në vitin 1991 kur kishte dhënë provimin e jurisprudencës. Quhet Zymer Tahiri. Vëllai i tij, Ismeti, jep versionin e tij për Express.
Vëllai i Zymer Krasniqit, Ismeti, ka thënë se është çuditur kur ka parë në media se emri i familjarit të tij del të jetë i përfshirë në falsifikimin e dosjes së jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
“Para tri netëve e kemi ni edhe na këtë rast, përmes televizionit”, thotë vëllai i Zymer Krasniqit.
Zymer Krasniqi, tani 60 vjeç, bashkë me familje, sipas vëllait Ismetit, banon në Gjermani prej kohës kur ishin dëbuar nga vendet e punës nga regjimi i ish-Jugosllavisë. Atëkohë, Ismeti tregon se e gjithë familja e tij kishin ndërruar mbiemrin nga Krasniqi në Tahiri.
Zymer Krasniqi kishte punuar si praktikant në Gjykatën e Deçanit për gati një vit. Kishte kryer jurisprudencën dhe ishte larguar për në vendet e BE-së, duke marrë me vete vetëm diplomën. Dhe, duke i lënë të gjitha dokumentet e shkollimit dhe ngritjes profesionale në Gjykatën ku kishte bërë praktikë.
Koha kur Zymeri ishte larguar nga Kosova dhe kishte ndërruar mbiemrin me katër vëllezërit, është viti 1991, kur edhe ai kreu provimin e jurisprudencës.
Dyshimet për dosjen e falsifikuar të Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi u publikuan, fillimisht, nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Pastaj, edhe dy media raportuan për dosjen e Lumezit, ku u vërtetua se në librin e regjistrimit të jurisprudencës të vitit 1991 ishte fshirë emri i Zymer Krasniqit dhe mbi të ishte shkruar emri i Aleksandër Lumezit.
Pavarësisht kësaj, Ismet Tahiri, nga Prapaqani i Deçanit, thotë se vëllai i tij Zymeri asnjëherë s’e ka njohur Aleksandër Lumezin dhe as nuk ka lidhje me falsifikimin e dosjes së jurisprudencës së Kryeprokurorit.
Në një bisedë për Express, Ismeti, me profesion arsimtar i fizikës, paralajmëron mundësinë e një padie private ndaj Kryeprokurorit të Shtetit. Për këtë, ai ka biseduar edhe me të vëllain, Zymerin. Thotë se të dy kanë dyshimet për sistemin e drejtësisë derisa paralajmëron mundësinë që t’i drejtohen EULEX-it.
“Ai mendon me bo, po kush me bo atë padi. Veç me bo direkt në EULEX. Me marr EULEX-i rastin atëherë tjetër gjo”, deklaron Ismeti për Gazetën Express.
Ismeti thotë se kjo çështje ka mundur kurrë të mos zbardhet pasi s’kanë pasur asnjë informacion se emri i familjarit të tyre është përmendur në dosjen e jurisprudencës së dikujt tjetër.
Por, në rast se Lumezi ka ndërtuar karrierën e tij prej juristi, prokurori e Kryeprokurori, me provim të falsifikuar të jurisprudencës së Zymer Krasniqit, ky i fundit, sipas të vëllait, sot në Gjermani bën punë krahu.
“Punon me një depo në Gjermani. Shkarkon e ngarkon”.
Sidoqoftë, Ismeti tregon se dosja e Zymer Krasniqit ka mundur të nxirret vetëm në Gjykatën e Deçanit pasi të gjitha dokumentet i ka lënë në këtë institucion, kur kishte kryer praktikën në fundvitet e 80-ta.
“Kur ka bo praktikë në Gjykatë në Deçan, në kundërvajtje, ka qenë me mbiemrin Krasniqi. Edhe provimet, edhe diplomën e gjitha i ka dhanë sa e kemi pasë atë mbiemër”, rrëfen Ismet Tahiri.
Ismet Tahiri thotë se të gjitha të dhënat që janë raportuar për dosjen e të vëllait në dosjen e Aleksandër Lumezit përputhen, përshirë edhe datat.
Megjithëse, sipas tij, Zymeri nuk është se i mban mend saktë.
“Jurisprudencën e ka dhanë. I thashë a ke hy më 24 a më 25 prill. Tha nuk po më kujtohet kur jom hi saktë. Por më doket paradite na kanë shti në test me shkrim, e pasdite na kanë pasë pyet”, tregon Tahiri.
Në gjithë këtë situatë, Kryeprokurori Lumezi, në një reagim, ka publikuar certifikatën e jurisprudencës e cila daton se është lëshuar më 25 prill 1991, në kohën kur serbët kishin marrë nën kontroll të gjitha institucionet e Kosovës.
Për të gjitha këto detaje, Ismeti tregon se vëllai i tij është i gatshëm të japë versionin e tij për ngjarjen.
“Është i gatshëm me u deklaru për gjithçka. Kudo që ashtë nevoja. Ana jonë është 1 milion për qind e pastër”, ka thënë vëllai i Zymer Krasniqit, për Express.
Ndërkohë, Gazeta Express të premten ka qëndruar edhe në degën në Deçan të Gjykatës Themelore të Pejës, ku para afër 30 vitesh Zymer Krasniqi ka kryer praktikën. Zyrtarë të këtij institucioni kanë konfirmuar se Zymer Krasniqi ka kryer praktikën në këtë gjykatë.
Ndryshe, të martën, emisioni “Betimi për Drejtësi” dhe KTV-ja kanë publikuar hulumtimin e tyre për dosjen e Lumezit në Arkivin e Kosovës.
Sipas hulumtimit, pas pretendimeve që fillimisht i bëri ish-kreu i Kushtetueses, Enver Hasani, ditën që u dënua për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte rektor i UP-së, se Aleksandër Lumezie ka të falsifikuar dosjen e provimit të jurisprudencës, emri i Lumezit është shkruar në tri variante, në tri dokumente të ndryshme, në dosjen e cila dy ditë pas raportimeve u mor nga Arkivi i Shtetit për t’u bartur për hetime në Prokurori.
Sipas këtyre dy mediave, nën efektin e dritës vërehet qartë se në dosjen e jurisprudencës nën emrin e Lumezit figuron një tjetër emër, ai i Zymer Krasniqit nga Deçani, numri i të cilit përputhet edhe me dosjen e provimit të dhënë nga Kryeprokurori në prillin e vitit 1991.
I pari i Prokurorisë së Republikës ka reaguar pas këtyre raportimeve dhe ka mohuar se e ka të falsifikuar provimin e jurisprudencës. Ai ka thënë se provimin e jurisprudencës e ka dhënë para komisionit kompetent, me ç’rast ka marrë edhe certifikatën për dhënien e këtij provimi më 25 prill 1991. Sipas tij, dhënia e provimit vërtetohet edhe nga libri origjinal, i cili thotë se gjendet në Ministrinë e Drejtësisë.
Derisa vetë Lumezi ka kërkuar që këto pretendime, qysh kur nisen nga Enver Hasani, të hetohen, një gjë e tillë veçse ka nisur të ndodhë. Me urdhër të Prokurorisë, Policia e Kosovës të mërkurën ka marrë nga Arkivi i Kosovës të gjithë dosjen e jurisprudencës së Aleksandër Lumezit. Ndërsa të premten është marrë edhe origjinali i librit amzë, që ndodhej në Ministrinë e Drejtësisë./GazetaExpress/.