Ditë më parë, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina ka publikuar një fotografi me anë të së cilës ajo pretendonte se po dëshmon një rast të dhunimit që ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.
Kjo pak orë pas publikimit, doli të jetë e dyshimtë – pasi e njëjta fotografi po qarkullonte në faqe të internetit me filma për të rritur
Brovina u ftua për intervistim nga Prokuroria e Kosovës ku përveç që u vërtetua se fotografia nuk është e luftës së fundit në Kosovë, Brovina përmendi edhe disa emra që sipas saj lidhen me këtë fotografi dhe nga të cilët ajo e ka marrë të njëjtën.
Por, me çfarë përgjegjësie mund të ngarkohet deputetja Brovina për publikimin e kësaj fotografie?
Lajmi.net ka diskutuar me avokatin Visar Ramaj i cili ka treguar se edhe pse liria e shprehjes është e siguruar me ligj, kjo e drejtë mund të kufizohet në raste të caktuara.
“Çdo person ka të drejtën e lirisë së shprehjes dhe çdo kufizim i kësaj të drejtë duhet të jetë i parashikuar me ligj, duhet të ketë një qëllim legjitim që synon të arrij dhe kufizimi duhet të jetë i nevojshëm në një shoqëri demokratike. Çdo person ka të drejtën të shprehë opinione dhe të përhapë informacion. Kjo e drejtë mund të kufizohet me qëllim të mbrojtjes së sigurisë kombëtare, mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve dhe parandalimit të përhapjes së urrejtjes dhe dhunës.
Kufizimet e tilla në lidhje me lirinë e shprehjes parashihet zakonisht kur ndalohet dhe sanksionohet me ndalimin e përhapjes së informacioneve të pavërteta (shpifje), përhapje e informacioneve denigruese (fyerje), apo shkelje e të privatësisë së personave të tretë.”, tha Ramaj për lajmi.net.
Ramaj gjithashtu ka treguar se përveç të drejtës së lirisë së shprehjes, çdo person ka edhe detyra e përgjegjësi ndaj së drejtës së tij, duke bërë të ditur se si sanksionohet një person nëse nuk i mbahet këtyre detyrave dhe rregullave.
“Duke qenë së liria e shprehjes sikurse garantohet me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës bartë në vetë krahas të drejtave edhe “detyra dhe përgjegjësi”. Këto detyra dhe përgjegjësi, me rastin e përhapjes së informacionit të bazuar në fakte të verifikueshme obligon personin që përhapë informacion të tillë paraprakisht të verifikoj saktësinë e fakteve që do të përhapë. Së dyti, personi i tillë nuk mund të përhapë informacion apo fakte të cilat rrezikojnë të shkaktojnë dhunë apo nxisin urrejtje.
Personi i cili shkel ndonjë prej këtyre kufizimeve me shkrim, duke përfshirë në këtë rast edhe vetë Flora Brovinën, mbajnë përgjegjësi për kompenzimin e dëmit personave të dëmtuar me rastin e përhapjes së informacioneve të pasakta shpifëse, fyese, apo shkelje të privatësisë”, tha në vazhdim Ramaj.
Ramaj gjithashtu tha se deputetja Flora Brovina është dashur që të bëjë përpjekjet e arsyeshme për verifikimin e vërtetësisë së asaj fotografie përpara publikimit.
“Me rastin e konferencës për media dhe përhapjes së informacionit për dhunimin e një gruaje nga forcat serbe dhe shpërndarjes së fotografisë që dëshmon këtë fakt, deputetja Flora Brovina ka përhapur informacion dhe fakte të cilat ajo paraprakisht është dashur t’i verifikojë, në të kundërtën një përhapje e tillë e informacionit dhe fakteve nuk hyn në kategorinë e lirisë së shprehjes të mbrojtur me nenin 10 të KEDNJ-së dhe nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës
Deputetja Brovina është dashur të bëjë përpjekje të arsyeshme për verifikim dhe jo domosdoshmërisht të marrë rolin e Prokurorisë. Në mungesë të një fakti shtesë bindës për vërtetësinë e informacionit ajo nuk ka pasur të drejtë të shprehet dhe përhapë informacion të pavërtetë dhe të paverifikuar”, tha avokati Ramaj për lajmi.net.
E në fund, Ramaj ka sqaruar se cila është përgjegjësia me të cilën mund të përballet deputetja Brovina për publikimin e asaj fotografie.
Ai tha se përveç përgjegjësisë civile, ajo mund të përballet edhe me përgjegjësi penale për nxitje të përçarjes dhe mos-durimit etnik.
“Së dyti, përmbajtja e deklaratës dhe fakteve të prezantuara dhe mënyra e shprehjes ka mundur të nxisë akte të dhunës ndër-etnike në Kosovë dhe urrejtje apo mos-durim etnik dhe kombëtar në Kosovë, për çka e njëjta përpos përgjegjësisë civile për përhapje të informacionit të pavërtetë do të mund të bartë edhe përgjegjësi penale për veprën penale të Nxitjes së përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kjo formë e shprehjes e cila ka potencial të shkaktojë dhunë dhe nxitje të urrejtjes, nuk mbrohet si liri e shprehjes.
Në secilin rast, përgjegjësia penale, e cila ndërtohet për raste shumë më serioze, bartë përgjegjësi me të mëdha në krahasim me përgjegjësinë civile”, tha krejt në fund Ramaj.
Vlen të theksohet se deputetja Brovina të njëjtën fotografi e kishte përdorur edhe në vitin 2012 gjatë një diskutimi në një nga lokalet e Prishtinës.
Pre e së njëjtës fotografi kishin rënë edhe një politikan amerikan dhe një media e njohur amerikane, rast për të cilin kishte aso kohe edhe regjisorja e filmit për të rritur prej ku edhe është marrë fotografia.