“Foreign Policy”: Ndarja e Kosovës çon në shkatërrim, sjell fundin e Maqedonisë

Mediumi prestigjioz amerikan “Foreign Policy” e ka vlerësuar si shkatërruese për Kosovën dhe rajonin, hapjen e çështjes së kufijve Kosovë – Serbi. Sipas një shkrimi të fundit, shkëmbimi i territoreve do të ishte shkatërrues për popullatën dhe për përpjekjet e shumta të Perëndimit për të siguruar paqe në Ballkan.

“Foreign Policy” nis tekstin duke kujtuar se që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, territori ka mbetur subjekt i diskutueshëm dhe pjesërisht sovran. Aktualisht është i njohur nga më shumë se 110 shtete me fuqi dhe ndikim në botë, si SHBA-ja e Gjermania e deri te Malawi e Vanuatu. Gjithsesi, sovraniteti i Kosovës mbetet de facto; duhet të arrijë anëtarësim në Kombet e Bashkuara, ka vetëm perspektiva të largëta për hyrje në Bashkimin Evropian, dhe me të madhe është e varur nga sponsorimet diplomatike të shteteve mbrojtëse që flasin në mbrojtje të saj. Sovraniteti i Kosovës është e kundërta e asaj që ka Serbia, e cila ka përkrahjen nga anëtaret e Këshillit të Sigurisë, Rusia dhe Kina; pesë shtete në Bashkimin Evropian, përfshirë Spanjën dhe Qipron, të dyja me probleme të ndarjes për vete; dhe një numër të shteteve tjera në botë si India, Brazili e Indonezia. Si e tillë, Kosova e gjen veten në mesin e konflikteve të ngrira sikur në territoret si Qipro Veriore, Nagorno-Karabakh, Transnistria dhe Abkazia. Të gjitha të ndara nga shtetet, por që nuk kanë akoma de jure sovrenitetin.

Që nga viti 2011, Bashkimi Evropian është përfshirë në “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve. Një numër i propozimeve janë të tipit ‘modus vivendi’ që mund të sjellin ose jo njohje reciproke, por thërrasin për Kosovë stabile, demokratike, të integruar dhe multietnike me minoritetin serb që është i lidhur fuqishëm me institucionet e shtetit serb. Problemi është se s’ka marrëveshje dhe që nënkupton se pranimi në Kombet e Bashkuara ose BE mbetet i bllokuar për kohë të pacaktuar, shkruan “FP”, transmeton Koha.net.

Një opsion që së fundmi ka dalë është edhe ndarja e Kosovës te lumi Ibër. Kjo nënkupton që Serbia të marrë pjesën veriore të territorit të populluar me shumicë serbe dhe si këmbim, Serbia do ta njohë si shtet të pavarur pjesën tjetër të territorit të Kosovës. Ndarja është kundërshtuar nga të gjithë, përfshirë BE-në, Kombet e Bashkuara dhe SHBA-në, por së fundmi është sugjeruar nga shumë politikbërës dhe analistë si tip i zgjidhjes së fundit për t’i dhënë fund përplasjeve. Së fundmi, zyrtarë të administratës së Trumpit, përfshirë John Boltonin, këshilltar për siguri kombëtare, kanë thënë se nuk do ta kundërshtonin një ide që Prishtina dhe Beogradi do të pajtoheshin për të.

“Foreign Policy” më pas ka shkruar se ka nisur të flitet edhe për shkëmbim territoresh, ku përfshihet Lugina e Preshevës dhe veriu i Kosovës. Krahas kësaj, Kosova pret anëtarësim në Kombe të Bashkuara, ndërsa Serbia dritën e gjelbër për anëtarësim në BE. Burimi i këtyre spekulimeve, sipas gazetës, është presidenti serb Aleksandar Vuçiq, që synon të portertizojë veten si personi i vetëm që qëndron mes Serbisë dhe katastrofës diplomatike për fatin e Kosovës. Edhe pse nuk ka zyrtarizuar se a ka hapur diskutime me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, spekulimet kanë zgjuar tensione në dy komunitetet.

“Foreign Policy” ka renditur argumentet që janë përmendur vazhdimisht që nga lufta, për ndarjen e Kosovës:

E para, veriu i Kosovës s’është kontrolluar asnjëherë nga Prishtina, as pas intervenimit të NATO-s, as pas deklarimit të pavarësisë më 2008, ka shkruar kjo gazetë duke shtuar se në këtë pjesë gjithçka është serbe sikur në shtetin serb.

E dyta, pavarësisht deklaratave të liderëve shqiptarë të Kosovës për integritet territorial dhe paprekshmëri të kufijve, shumica e veriut të kontrolluar nga serbët, s’do të jetë e integruar tërësisht. Siç shkruan “Foreign Policy”, autoriteti i Prishtinës atje është vetëm simbolik.

Për shumë vjet, liderët e Kosovës kanë akuzuar veriun për sisteme paralele të financuara nga Beogradi – që vlerësohet si ironike pasi, vetë rrënjët e ndarjes nga ish-Jugosllavia, sipas kësaj gazete nisën nga institucionet “paralele”.

Një argument i tretë është se duket të ketë një farë “koncesioni” për Serbinë që Kosova të fitojë pavarësinë de jure. Veriu nuk do të integrohet kurrë dhe kjo është e vetmja e pjesë që Serbia mund ta mbrojë për shkak të afërsisë gjeografike.

Duke parë këtë realitet, disa zyrtarë serbë favorizojnë ndarjen dhe të shpëtojnë atë që mund të shpëtojnë para se të humbet gjithçka. Kjo nënkupton që Serbia duhet të heqë dorë patjetër nga pjesa tjetër e territorit, dhe mund të ketë shpërngulje të të gjithë serbëve që jetojnë në jug të Ibrit. Një ide e ngjashme është konsideruar nga Kosova për Luginën e Preshevës, si kompensim i veriut. Në të dy rastet, do të qonte në shpërngulje të popullatës.

Ndarja është opsion i keq dhe tejet i rrezikshëm – dhe është refuzuar nga të gjitha palët për shumë arsye

 

“FP” shkruan se përkrahësit e kësaj ideje thonë se situata është fitore për të dy palët, por kjo nga kjo gazetë konsiderohet gabim.

“Ndarja është opsion i keq dhe tejet i rrezikshëm – dhe është refuzuar nga të gjitha palët për shumë arsye”, shkruan “Foreign Policy”.

Për Serbinë, pranimi i ndarjes do të ishte njohje e humbjes së territorit që e konsiderojnë si pjesë e vetes. Për më shumë, pjesët e Kosovës që i interesojnë më shumë Serbisë janë në jug të Ibrit, pasi veriu, sipas “Foreign Policy”, ka vetëm pak simbole historike. Sipas gazetës, problemin më të madh do ta përjetonin dy komunitetet që do të duhej të kalonin nga njëri shtet në tjetrin.

Për Prishtinën, problemi i largimit të veriut, sipas “Foreign Policy” do të ishte serioz në aspektin ekonomik. Veriu është shtëpia e Trepçës dhe e Ujmanit.

Për së fundmi, ndarja do të shkatërronte edhe punën e bërë nga Amerika dhe Perëndimi për të siguruar imazh të qetë të Kosovës si shoqëri multietnike ku jetojnë bashkë shqiptarë e serbë.

Përtej kësaj, argumenti i ndarjes së Kosovës nga Serbia ishte “sui generis” dhe hapja e kufijve do të hapte Kutinë e Pandorës në rajon ku jetojnë serbë në Bosnje, e shqiptarë në Maqedoni.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme