Në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni, Forumi Rinor i Lëvizjes Besa, ka reagur ndaj partisë shqiptare në pushtet dhe padive ndaj rinisë së Besës.
‘Më 06.02.2016 Forumi Rinor i Lëvizjes BESA e organizoi një aksion rinor,në të cilin e alarmoi faktin se zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim i marrim nga 5.000 euro prej të rinjve shqiptarë që të mund të punësohen në administratën e shtetit. Për këtë arsye kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, më ka paditur mua në gjyq dhe më kërkon dëmshpërblim prej 10.000 EURO ose, ndryshe, që t’i kërkoj falje publike.
Meqë unë nuk i kam 10.000 euro, jam sot këtu që t’i kërkoj falje. Para kësaj vetëm edhe një digresion: ndonëse Ahmeti ma ka dërguar padinë në gjuhën e tij zyrtare, pra maqedonisht, unë po i përgjigjem në gjuhën që do ta zyrtarizojë Lëvizja BESA, pra shqip. Kërkoj ndjesë dhe mirëkuptim, z. Ahmeti, që nuk e respektoj ligjin e gjuhëve që e keni miratuar ti dhe shpura jote!
I nderuari Ahmeti, në emrin tim dhe në emër të anëtarësisë së Forumit Rinor të Lëvizjes BESA ju kërkoj falje, duke shprehur keqardhje që kemi gabuar kaq rëndë ndaj jush. Na falni pashë Zotin!
Ne aktivistët e rinj të BESËS i kemi huqur disa zero në aksionin tonë të atëhershëm dhe juve ju ka mbetur hatri. Ne pak më vonë e kuptuam se ju dhe partia e juaj nuk i merrni nga 5.000 euro për një punësim. Ndonëse fjala është vetëm për tre zero, por ja që ju jeni kapur pikërisht aty.
Ju nuk i merrni vetëm nga 5.000 euro nga shqiptarët, ju i merrni nga 5.000.000 (5 milionë) euro nga shqiptarët e Maqedonisë. Ju, Ahmeti, së shpejti do të përballeni me drejtësinë e SHBA-ve, sepse dyshohet se i keni marrë ryshfet 5 milionë euro. A do ta detyroni t’iu kërkojë falje edhe FBI-ja?
Për këtë arsye Ahmeti, ju lutem pranojeni fajin dhe gabimin tonë, që është vetëm tre zero, por që juve ju vlen shumë.
Unë e di se pas kësaj ju do ta vazhdoni padinë ndaj meje, andaj ne të rinjtë e BESËS kemi vendosur që t’i mbledhin nga 1 euro secili që ta paguajmë këtë dëm 3-zerosh që ua kemi shkaktuar, por mbajeni mend – KURRËN E KURRËS NUK DO TË GJENI MË TË RINJ që do t’ju frikësohen dhe do t’ju kërkojnë falje për gjynahet që ju vetë i keni bërë! Merrni edhe këto 10.000 EURO nga ne dhe hani biftekë e kënaquni. Se ju veç për të vjedhur e për biftekë paskëshit qenë.
Po e përfundoj kërkim-faljen time me disa vargje të poetit tonë të madh, Ali Asllani:
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
E pak më poshtë:
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!
Dhe në fund:
A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror, ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur, Ju do thoni si të doni… PO E DREJTA DËRMON HEKUR!’.
https://www.youtube.com/watch?v=BGPFL39Pry4