Fotoja e mjetit të djegur që shihni më poshtë dyshohet se është e autorëve të plagosjes së dyfishtë në Don Bosko, ngjarje e ndodhur sot në drekë në afërsi të OSHEE.
Golfi u gjet në Kamëz dhe rezulton se targat nuk i ka të vjedhura, mirëpo numri i shasisë nuk përputhet me mjetin origjinal.
DINAMIKA E NGJARJES
Kujtojmë se nga atentati në Don Bosko mbetën të lënduar 45-vjeçari Kastriot Elezaj dhe 22-vjeçari Ronaldo Metushi.
Dy personat kanë qenë duke pirë kafe në verandën e një lokali, kur tre autorët janë shfaqur aty pranë me një makinë, kanë qëlluar pa dalë nga mjeti dhe janë larguar me shpejtësi.
Dyshohet se është qëlluar me armë të pajisur me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar të shtënat. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tha se në vendngjarje janë sekuestruar 7 gëzhoja.
Nga të shtënat, njëri është plagosur në këmbë, ndërsa tjetri në shpatull. Ata ndodhen në spital ku po marrin ndihmë mjekësore.
Nga hetimet paraprake, rezulton se Elezaj është person me precedent kriminal. Ai kishte vetëm pak muaj që ishte kthyer në Shqipëri, pasi kishte përfunduar dënimin në Itali për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Elezaj dyshohet se ka qenë shënjestra e atentatit, ndërsa po shihet e shkuara e të dy të plagosurve për të përcaktuar dhe pistat e hetimit që do të bëjnë të mundur zbardhjen e ngjarjes së rëndë kriminale në kryeqytet.