FOTO/ Ekzekutuan biznesmenin Eduart Reçi pas konflikteve për pronën, ky është efektivi i OPGJ-së dhe vëllai i tij

Personat në foto janë vëllezërit Shkëlqim Dukaj, efektiv i OPGJ-së në komisariatin nr 2 në Tiranë, dhe Florjan Dukaj, të cilët vranë biznesmenin Eduart Reçi pas konflikteve për pronën.


Sipas policisë, dy vëllezërit janë arrestuar si autor të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Reçi, pas konflikteve për një pronë ku ky i fundit synonte të ndërtonte.

Mësohet se Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë, kufitar me pronën e tij.

Sipas policisë, ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Duka.

NGJARJA

Eduart Reçi u ekzekutua në një atentat të organizuar pranë pallatit ku jetonte, të cilin e kishte ndërtuar edhe vetë. Autorët e krimit raportohet se kanë pritur derisa Eduart Reçi të dilte nga banesa dhe e kanë qëlluar nga distanca.

Bizmesmeni i ndërtimit, i cili dikur ka qenë punonjës i SHISH, mori një plumb të vetëm në kokë dhe u dërgua te Trauma, por nuk arriti të mbijetonte.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës (13 Nëntor) rreth orës 23:00, në rrugën “Faik Konica”, ndërsa mësohet se kamerat e sigurisë kanë filmuar vetëm momentin kur vikima është qëlluar me plumb dhe është rrëzuar në tokë, por jo atentatorët.

Biznesmeni është baba i dy fëmijëve, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte.

Njoftimi i policisë

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2024, ku në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri shtetasi E. R., i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital.

Vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.

Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi E. R., po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).

Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme