Beograd, 24 mars 1999. Alarmi ajror që ushton dhe sulmet e para janë praktikisht e njëjta gjë. Shansi i fundit për një zgjidhje paqësore në konfliktin e Kosovës kaloi pa rezultat. Me avionë luftarakë dhe me raketa kryqëzorësh, NATO-ja sulmon për të ndaluar mënyrën brutale të veprimit të forcave serbe në krahinën e shqiptarëve. Nga baza italiane e Piacenzas ngrihen edhe avionët gjermanë Tornado për në mision. Rreth orës 23.15 në Jugosllavi shpallet gjendja e luftës.
Po në mbrëmje, kancelari Gerhard Schröder (SPD) i drejtohet në një fjalim televiziv gjermanëve. Forcat jugosllave të sigurisë e kanë intensifikuar “mënyrën terroriste të veprimit” kundër shqiptarëve, udhëheqja e Beogradit i ka shkelur të gjitha marrëveshjet. “Prandaj si mjeti i fundit mbeti përdorimi i dhunës”, thotë Schröder.
Ai thotë më tej se me këtë aksion, aleanca perëndimore mbron vlerat bazë të lirisë, demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Schröderi tëheq vëmendjen që me pjesëmarrjen e aviacionit luftarak gjerman për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore në luftë janë sërish ushtarë gjermanë. “Nga ky vend u bëj thirrje të gjithë qytetareve dhe qytetarëve që në këto momente të mbështesin ushtarët tanë.”
Si pjesë e aleancës perëndimore, Gjermania u përfshi në një luftë, e cila nuk qe e mbuluar nga një mandat i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ishte një luftë, të cilën shtetet perëndimore e argumentuan me përfundimin se kishin dështuar përpjekjet jo të dhunshme, për ta bërë që të ndryshonte qëndrimin në Kosovë liderin serb të luftës, Slobodan Milosevic.
Në krahinën kryesisht shqiptare, e cila atëherë ishte pjesë jugore e Serbisë, qe përhapur prej vitit 1998 një kryengritje e armatosur e UÇK-së. Nëntë vjet më parë, Miloshevici pati eleminuar autonominë e Kosovës. Forcat serbe të sigurisë e luftuan kryengritjen me ashpërsi brutale. Herë pas here pati masakra ndaj civilëve dhe dëbime të fshatrave të tëra.
Pas akteve mizore të serbëve në luftën e Bosnjës (1992-1995) Perëndimi donte t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë politikës së pushtetit të Milosheviçit me motive etnike. Një lloj detyrimi, për të mbrojtur të drejtat e njeriut, u vendos mbi të drejtën e sovranitetit të një shteti. Valët e refugjatëve të shkaktuara në shtetet fqinje nga mënyra e veprimit e Milosheviçit kërcënonin veç kësaj të rrezikonin stabilitetin e rajonit. Në Rambouillet të Francës qenë zhvilluar negociata për një rrugëdalje nga spiralja e dhunës – pa sukses.
Me bombardime të qëllimshme të kazermave, bazave ushtarake dhe pajisjeve të radarëve, por edhe të institucioneve civile si stacioneve televizive, stacioneve elektrike, rafinerive dhe urave synohej që Milosheviçi të detyrohej të ndryshonte qendrim. Por zhvillimi i luftës nuk qe “i pastër klinikisht”, siç përpiqeshin ta paraqisnin zyrat e shtypit të NATO-s: goditje ajrore që nuk godisnin objektet e synuara herë pas herë vrisnin edhe civilë serbë – dhe në një rast edhe shqiptarë të Kosovës, të cilët brenda Kosovës lëviznin në një kolonë refugjatësh.
Lufta mori fund pas 78 ditësh me kapitullimin e Milosheviçit. Kosova kaloi në fillim në administrimin e OKB-së, në vitin 2008 deklaroi pavarësinë. Më shumë se 100 shtete, midis tyre Gjermania, e njohën shtetin e ri shqiptar, të tjerë, midis tyre Rusia, Kina dhe pesë shtete anëtare të BE, nuk e kanë bërë këtë. Në vitin 2000 Milosheviçin e rrëzoi populli i vet dhe qeveria e re serbe ia dorëzoi Tribunalit të Hagës për Krime Lufte. Ai vdiq në vitin 2006, përpara se të merrte fund me një vendim procesi gjyqësor kundër tij, për shkak të krimeve të luftës në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.