Personi në foto është 42-vjeçari Luan Maçi, autori i grabitjes me armë zjarri të një pike këmbimi valutor në qendrën tregtare Concord.
Burime bëjnë me dije se në momentin që ka kryer grabitjen Luan Maçi ka qenë me mjekër, por pasi mori paratë dhe u arratis, ka shkuar në banesën e tij dhe e ka hequr.
Ai u largua nga vendi i ngjarjes me një motor, duke marrë rreth 3 milionë lekë të vjetra.
Në pamjet e publikuara duket edhe skena e grabitjes, si edhe sjellja amatore e Luan Macit, i cili fillimisht shkelmon derën e subjektit dhe kërcënon dy punonjëset me armë pistoletë. Pastaj nis të mbledhë paratë me dorë nga banaku.
Në pamundësi për t’i grumbulluar, ai lë armën në banakun e biznesit dhe nis t’i marrë me të dyja duart. Një pjesë e madhe e kartmonedhave i bien në dysheme dhe ai ulet që t’i mbledhë për t’i futur në çantën marsup.
Maci arriti të merrte të paktën 3 mln lekë në dyqanin e këmbimit valutor në rrugën “5 Maji”, një pjesë e të cilave u sekuestruan si provë materiale, bashkë me armën e krimit.
Njoftimi i Policisë Tiranë:
“Vodhi rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, në një qendër tregtare, duke kanosur punonjësen, me armë zjarri pistoletë, identifikohet, lokalizohet dhe arrestohet 42-vjeçari.
42-vjeçari, me precedent penal për të njëjtën veprimtari kriminale. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, një pjesë e shumës së parave të vjedhura dhe veshja e përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje, në rrugën “5 Maji”, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:
-L. M., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se duke kanosur punonjësen, me arme zjarri pistoletë, ka vjedhur rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, brenda një qendre tregtare, në rrugën “5 Maji”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.




