Organizata Freedom House, me seli në Uashington, në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë” të publikuar të enjten, thekson se demokracia në Shqipëri u ndesh me një sërë sfidash, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të muajit maj, të cilat konsoliduan më tej pozitën dominuese të partisë në pushtet.
Në kapitullin për Shqipërinë, Freedom House po ashtu vë në dukje përkeqësimin e gjendjes së mediave dhe zvogëlimin e hapësirës të shoqërisë civile. Sipas organizatës, korrupsioni vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Shqipëri. Vlerësimi i përgjithshëm i organizatës për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes.
Në kapitullin për Shqipërinë, organizata ‘Freedom House’ sjell një pasqyrë të zymtë edhe për skenën mediatike. Sipas raportit, një pjesë e madhe e mediave u janë nënshtruar interesave të biznesit dhe atyre politike të pak familjeve, apo kontrollohen nga biznesmenë që blejnë aksione në media për të përfituar kontrata publike në këmbim të raportimit të favorshëm.
Raporti thotë se “kur mediat bëhen kritike ndaj qeverisë, si në rastin e News 24 të familjes Hysenbelliu, ato përballen me masa ndëshkuese, kërcënime dhe në disa raste gjoba të larta.”
Raporti dokumenton disa raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj gazetarëve në Shqipëri për raportimet e tyre rreth politikanëve të lartë dhe anëtarëve të dyja partive politike, duke përmendur edhe rastin e SYRI TV.
Raporti në veçanti vë në pah sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve Elvis Hila, Afrovita Hysaj dhe Elton Qyno, si dhe sulmin verbal ndaj gazetares së ‘Balkan Insight’ Ola Xama nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili iu referua asaj si “vrasëse me pagesë” pas publikimit të një shkrimi për hetimin e korrupsionit për tenderin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas organizatës biznesmenë “paguajnë opinionistë dhe gazetarë dhe sponsorizojnë emisione kryesore televizive të debatit politik, të cilat ndikojnë në opinionin publik”. Kjo sipas raportit bëhet “për të promovuar agjendat e partive politike në këmbim të përfitimit të kontratave për tendera publikë apo favoreve tjera.”
Raporti gjithashtu thekson se kryeministri Rama dhe Partia Socialiste kanë konsoliduar pushtetin duke dominuar zgjedhjet e mbajtura më 23 maj.
“Vëzhguesit e zgjedhjeve dokumentuan shpërdorimin e burimeve shtetërore nga Partia Socialiste për të rritur avantazhin politik në një mori komunash para zgjedhjeve, një strategji veçanërisht e dobishme në nivelin komunal ku shumë prej qeverive lokale nuk kanë financim të mjaftueshëm dhe varen nga qeveria qendrore,” thuhet në raport.
Kapitulli për Shqipërinë po ashtu vë në dukje se shoqërisë civile i është ngushtuar hapësira e veprimit, duke theksuar se gjatë vitin 2023 qeveria ka propozuar dhe parlamenti ka miratuar ligje “pa angazhimin e duhur të organizatave joqeveritare dhe grupeve të interesit”, që është detyrim ligjor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Qeveria dhe parlamenti kanë dështuar të angazhohen në një dialog konstruktiv me sektorin e shoqërisë civile, duke dëshmuar që kushtet për angazhimin e OJQ-ve dhe fuqizimi i tyre përmes konsultimit për hartimin e politikave mbetet një premtim bosh”, thekson organizata ‘Freedom House”.
© SYRI.net



