Gazetar: Zekirija Haxhiu
Duke mos saktësuar se çfarë veprimesh do të ndërmarrin, nga Fronti Evropian paralajmërojnë se nuk do të qëndrojnë duarkryq lidhur me iniciativat dhe një vendimi eventual të Gjykatës Kushtetuese sa i përket ligjit për gjuhët, konkretisht gjuhës shqipe, shkruan Alsat.
Koordinatori i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, i bën thirrje edhe njëherë VMRO DPMNE-së, që ta tërheqin iniciativën e tyre para Gjykatës Kushtetuese dhe të ulen të bisedojnë për avancimin e kësaj çështjeje.
“Kemi paralajmëruar dhe të gjithë shqiptarët po paralajmërojnë se nuk do të tolerojnë, nuk do të lejojnë që dikush të sillet si pronar dhe të konteston përdorimin e gjuhës shqipe. Ne jemi të përgatitur që t’i prijmë kësaj situate me të gjithë shqiptarët, me të gjithë qytetarët që Republikën e Maqedonisë së Veriut ta kthejmë në binar të duhur”, tha Blerim Bexheti – Fronti Evropian.
Por nga VMRO DPMNE si duket nuk kanë vullnet për një gjë të tillë. Deputeti Antonio Milloshoski hedh dyshime për periudhën kohore kur Kushtetuesja po i hapë këto tema.
Paralajmërimet për krizë politike dhe mos mbajtje të zgjedhjeve, i sheh si tentim për të tërhequr vëmendjen nga problemet brenda partiake.
“Sipas meje kjo është një deklaratë jo serioze sepse nuk mund të shkoni kundër kalendarit demokratik të një shteti lidhur me zgjedhjet. Mund të vendosni nëse do të merrni pjesë apo nuk do të merrni pjesë, kjo është e drejtë zgjedhjeje por nuk mund t’i pengoni proceset zgjedhore vetëm sepse jeni në opozitë. Iniciativat janë dorëzuar nga më tepër dorëzues dhe konsiderojmë se ajo që Bujar Osmani e bëri derisa ishte ministër, nuk veproi drejtë dhe nuk e konsultoi komisionin e Venecias nga Këshilli Evropian, është handikapi më i madh pse krijohen iniciativa të tilla dhe mos besim për atë nëse ligjet kanë bazë dhe janë sjellë në formë të drejtë”, u shpreh Antonio Milloshoski – VMRO-DPMNE.
Duke folur për të drejtat dhe gjuhët, dje kryeministri Mickoski tha se më së paku Osmani ka kredibilitet për të folur për gjuhët pasi siç tha, derisa ishte në pushtet pati shitur identitetin maqedonas.
Nëse nuk e respekton të huajën nuk mund ta respektosh as tënden tha Mickoski. Ndaj kësaj deklarate, Osmani duke përmendur arritjet lidhur me gjuhën maqedonase, i tha Mickoskit që të bëjë së paku gjysmën e asaj, dhe shqiptarët do t’i ishin shumë mirënjohës./ Alsat.mk