Bagëtitë, tipike të çdo fshati shqiptar, duket se në këtë zonë janë zhdukur tërësisht. Në fshatin Petresh të Elbasanit nuk të sheh syri lopë e dele.
Grabitësit nuk kanë anashkaluar asnjë shtëpi të fshatit duke vjedhur gjënë e gjallë, e të paktën kjo është ajo që fshatarët e zonës konfirmojnë para kamerës së TCH. Një lopë kushton 100-150 mijë lekë të reja dhe fshatarët e kanë të pamundur t’i blejnë sërish, aq më tepër kur grabitësit nuk janë ndaluar dhe rreziku që ata të kthehen sërish është i madh.
Edhe pse prej gati një viti ngjarja përsëritet shpesh, autorët nuk janë identifikuar. Pasuria e vetme me të cilën ushqehen këta njerëz janë lopët, por duket se grabitja e tyre nuk është marrë asnjëherë seriozisht nga autoritetet.