Fundi një epoke: Dorëzohet avioni i fundit Boeing 747

Prodhimit të avionit legjendar Jumbo-Jets i erdhi fundi. 54 vjet pas fluturimit të parë në vitin 1969 dhe pas prodhimit të 1500 ekzemplarëve. Boeing shpreson që 747 të fluturojë sërish për dekada të tëra.

Kur historiani i Boeing-ut, Michael Lombardi flet për tipin 747, duket sikur flet për një çështje fetare. Me zërin e ngrohtë dhe të ngadaltë ai flet për projektin më të madh civil të të gjithë kohërave, të ndërtimit të avionëve: “Ai është një simbol i madh për njerëzimin dhe atë çka është në gjendje të bëjë. Ai ka ndryshuar botën, e ka bërë botën të duket më e vogël, dhe ka demokratizuar transportin ajror,” thotë Lombardi në Seattle, duke folur pak ditë para zhvillimit të ngjarjes historike.

Më 31 janar 2023 morri fund një epokë e shkëlqyeshme, gati ekzaktësisht 54 vjet pas fluturimit të parë të bërë në vitin 1969, prodhimi i Boeing 747 merr fund dhe dorëzimi i avionit të fundit shoqërohet me një festë. Avioni i fundit i këtij lloji është ekzemplari 1574, që është një transportues mallrash 747-8F, Atlas Air-i që përdoret nga koncerni logjistik

Kühne & Nagel. Vetëm një ngjitëse e vogël, ngjitur mbi kapakun e hundës së përparme të avionit, të kujton veçorinë, që ky është 747 i fundit dhe të kujton “babain e 747-ës”, inxhinierin Joe Sutter, një legjendë e këtij sektori, i cili ndërroi jetë në vitin 2016.

Hov i madh dhe i shpejtë në historinë e transportit ajror

Boeing 747 ka arritur të ketë zhvillimin më të madh e më të shpejtë në gjithë historinë e transportit të pasagjerëve, duke ia kaluar tipit të mëparshëm, Boeing 707, me maksimumin e vetëm 189 pasagjerëve. Jumbo-Jet u lejua që në fillim të fluturonte me 550 pasagjerë dhe arriti më vonë të mbante deri 660 udhëtarë.

Historia e krijimit të 747 është legjendë dhe mit: Në vitin 1965, dy burrat më me influencë të transportit ajror në atë kohë, drejtori i Boeing-ut, William ‘Bill’ Allen dhe themeluesi i Pan-Am-it, Juan Trippe, ishin duke bërë lundrimin vjetor me varka për të zënë peshq salomon, kur lidhën një marrëveshjeje në parim, për ndërtimin e avionit më të madh të pasagjerëve në botë. Marrëveshja u bë duke i dhënë dorën njeri-tjetrit, dhe pa nënshkruar ndonjë dokument zyrtar.

Sot është gati e pabesueshme, që një projekt që do të vendoste për të ardhmen e firmave të tyre dhe do të kushtonte miliarda dollarë, arriti të bëhej në këtë mënyrë jozyrtare. “Në parim Trippe tha: “Nëse ju e prodhoni një avion të tillë, unë do ta blej.” Dhe Allen u përgjigj: “Unë do ta prodhoj nëse ju e blini”. Nuk u nënshkrua asnjë kontratë, por kaq mjaftoi për të nisur programin,” ka pas treguar Joe Sutter.

Në fillim u mendua si model kalimtar

Në kohën e sotme të dizajnimit me kompjuter dhe modele virtuale tre dimensionale, që krijohen me disa klikime mausi, është e vështirë të imagjinosh çfarë sfidash kishin përpara inxhinierët e Boeing 747, në mes të viteve gjashtëdhjetë. E qartë ishte se shoqëritë ajrore, sidomos Pan Am, donin të kishin një avion shumë më të madh se ata të prodhuar deri në atë kohë, një terren ky krejt i pashkelur deri atëherë.

Për Juan Trippe-n, 707 kishte përmasat e duhura, prandaj ai u kap gjatë pas idesë fillestare të ndërtimit të një avioni me dy kate, në të cilin do të montoheshim mbi njëra tjetrën dy trupa avioni 707. Por nga kjo ide u hoq dorë që në vitin 1965. Avioni 747 u mendua faktikisht si avion kalimtar, që do të përdorej deri sa pjesa më e madhe e pasagjerëve ndërkontinentalë të fluturonin me shpejtësinë e zërit, ose me avionët Concorde ose me konkurentin e tyre, avionët amerikanë të Boeng SST (të quajtur 2707, prej të cilit u hoq dorë në vitin 1971), të cilët u zhvilluan në të njëjtën kohë.

Më vonë 747 do të vazhdonte të funksiononte si avion transporti. Prandaj kabina e drejtimit u zhvendos mbi kuvertën kryesore, sepse për ngarkesat e thjeshta nevojitej tani vetëm hunda e përparme me kapak. Ky konfiguracion bëri që pas kabinës të krijohej një zonë e vogël si mbulesë, duke krijuar kështu “gungën” e famshme të 747.

Në vend që të ndërtoheshin dy kate të holla mbi njëra tjetrën, siç u mendua fillimisht, 747 u pajis vetëm me një kat kryesor. Megjithatë me gjashtë metra gjerësi, fusha e avionit kishte sipërfaqen më të madhe që ka pasur një avion pasagjerësh ndonjëherë, me gati dhjetë vende uljeje dhe ku mund të futeshin brenda edhe dy kontenierë mallrash të vendosur ngjitur njeri me tjetrin.

Në 13 prill 1966, Pan Am bëri porosinë e parë për 25 Boeing 747 me vlerë prej 525 milionë dollarësh (që bëjnë sot me 4,8 miliardë dollarë) kështu që programi i 747 filloi zyrtarisht.

Salla gjigande prodhimi

Në qershor të 1966, Boeing bleu 315 hektarë tokë moçalore të pyllëzuar në afërsi të aeroportit Paine Field në Everett të shtetit të Uashingtonit, në veri të Seattle, për të ngritur fabrikën e prodhimit të 747, që për nga volumi vazhdon ende të jetë ndërtesa më e madhe në botë. Në vend të katërt është aktualisht salla e transportit ajror të ish-transportuesit të mallrave Cargolifter në Brandengurg, sot Tropical Islands Resort, që është dy herë e gjysmë më i vogël se sallat e prodhimit të 747. Ndërtimi i fabrikës së 747 ka qenë garë e pamëshirshme me instrumentat analoge të asaj kohe.

Fabrika u ngrit ndërkohë që vazhdonte puna për dizajnimin e 747. Çdo gjë ishte planifikuar minutë për minutë, prototipi duhet të fluturonte brenda një kohe prej dy vjet e gjysmë, nisja u planifikua për 30 shtator 1968. Më pak se tre vjet pas nënshkrimit nga Pan Am të marrëveshjes në parim për dhënien e porosisë dhe dy vjet e gjysmë pas rënies dakord për dizajnin e sallës së pasagjerëve të avionit. Dhe plani shumë ambicioz u respektua: Pikërisht në afatin e parashikuar në qiell u shfaqën sunduesit e rinj.

Fluturimi i parë pa probleme

Epoka Spacious Age, “epoka e hapësirës së madhe”, siç është quajtur epoka e 747, filloi faktikisht më 9 shkurt 1969 me fluturimin e parë që eci në mënyrë të pazakontë, pa probleme. Avioni i parë i pasagjerëve të Pan Am-it nisi fluturimin nga Nju Jorku në Londër më 12 janar 1970. Deri në vitin 1975, flota globale e 747 që ishte rritur shumë shpejt kishte arritur të fluturonte 100 milionë pasagjerë. Në tetor 1993, Boeing furnizoi një 747 për Singapor Airlines, duke arritur furnizimin e avionit të njëmijtë 747, një shifër kjo e rëndësishme.

Si dëshmi për jetëgjatësinë e konceptit fillestar të viteve 1960-të, është marrja në vitin 2005 e vendimit që të prodhohej edhe një brez i ri 747. Këtë gjë Boeing e bëri bashkë me Lufthansan, e cila ka qenë që në vitet 1970-të ndër klientët e parë, dhe megjithëse me avionin Airbus A380, vazhdonte të ekzistonte vazhdimisht një konkurent tjetër dykatësh.

Versioni i fundit i Boeing 747-8 është prodhuar në atë kohë me bashkëpunimin aktiv të legjendës së vërtetë të 747-ës, Joe Sutter-it. Katër dekada pas prodhimit të 747 të parë, u zgjerua për herë të parë zona e bagazhit. Në këtë mënyrë 747-8 u bë avioni më i gjatë i pasagjerëve në botë.

Por epoka e këtij tipi avioni kishte marrë fund tashmë, versioni për pasagjerë i 747 mezi shitet, vetëm për transportin e mallrave shitet. 16 vjet mbas fluturimit të parë Airbus filloi në vitin 2021 me prodhimin e A380. Por Boeing 747 do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm, të paktën deri sa të jenë prodhuar dy avionët e ri presidencialë të forcave ajrore amerikane, të quajtur Air Force One. Mendohet që ato do të ngrihen në qiell mbas vitit 2027.

Dhe historiani i firmës, Michael Lombardi është i sigurt se “Jumbot e Boeingut do të fluturojnë deri në njëqindvjetorin e fluturimit të parë, deri më 2069, mbretërit e qiellit do të kryqëzohen në qiell për dekada të tjera.”/DW

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme