Vetëm 7 për qind e qytetarëve janë shprehur të bindur se pas zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 22 tetor, do të ndodhin ndryshime pozitive në komunat e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas raportit “Qytetarët dhe vota e tyre”, i cili flet për pritjet e qytetarëve dhe faktorët që ndikojnë në votën e tyre në zgjedhjet komunale, që është prezantuar të premten nga Instituti GAP, rreth 45% e të anketuarve kanë pritshmëri që komuniteti i tyre do të përfitojë nga investimet e komunës gjatë mandatit të ri qeverisës.
Por, vetëm 7% janë plotësisht të bindur se ndryshimet pozitive do të prekin komunitetin e tyre. Rreth 30% e qytetarëve të anketuar nuk kanë pritshmëri të mëdha se do të ketë ndryshime pozitive për komunitetin ku ata jetojnë. Kurse 27% kanë deklaruar se nuk presin që komuniteti i tyre do të përfitojë në ndonjë mënyrë nga komuna në mandatin e ardhshëm. Këto rezultate janë nxjerrë pas anketimit të 1.065 personave mbi moshën 18 vjet në të gjitha komunat e Kosovës.