Gashi: Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të çojë deri në fund mandatin

Kryetari i Partisë Alternativa, Afrim Gashi beson se Qeveria e re në Maqedoninë e Veriut, e cila pritet të votohet këtë muaj, do të çojë deri në fund mandatin e saj, deri në vitin 2024, meqë sipas tij koalicioni i ri nuk synon zgjedhje të parakohshme.

– Advertisements –

Gashi, i cili nga opozita i është bashkuar Lidhjes Social Demokrate në pushtet, thotë se hyrja e Alternativës në Qeveri është në interes të shqiptarëve dhe vendit meqë Maqedonia e Veriut pret hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i partisë Alternativa, e cila me 4 deputetë te saj pritet të bëjë 64 numra të shumicës në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, thotë se kjo parti është parë si mundësi për zgjidhje të krizës politike e cila sipas tij do të kishte pasoja në bisedimet e shtetit me Bullgarinë.

“64 numra janë të mjaftueshëm për të çuar këtë agjendë deri në fund, sidomos për shkak të këtyre sfidave që po i numërojmë që i kemi si shtet, por natyrisht në politikë asnjëherë nuk mund të këmbëngulni apo ta dini se çfarë ju ndodh nesër, janë zhvillime dinamike, rajonin e kemi të tillë, vendet janë të reja në demokraci, prandaj nuk mund të them me garanci të madhe se çfarë do të ndodh, por logjika politike ma thotë se asnjë subjekti politik të kësaj shumice prej 64 deputetëve nuk ju konvenojnë zgjedhjet deri në vitin 2024, andaj unë shpresoj dhe besoj që kjo qeveri të zgjasë deri atëherë dhe ne të mundohemi të bëjmë sa më shumë punë të mira për qytetarët e pastaj në zgjedhje ata të vendosin të votojnë për ne, të na japin besim apo të na dënojnë”, thotë Gashi.

Vendimi i Alternativës për të hyrë në Qeveri është kritikuar nga Aleanca për Shqiptarët, parti kjo në opozitë e me të cilën Gashi ishte në koalicion.

“Një vit kemi pasur ftesa që të rritet shumica për shkak se ka qenë 62, ka pasur probleme e kështu me radhë, por ne kemi qëndruar besnik atij koalicioni deri në fund të zgjedhjeve lokale, shkuam bashkë si koalicion dhe në një kontekst të tillë të ri politik, menduam se i kemi dalë hakut edhe koalicionit, edhe votuesit, tash në një sfidë të re menduam që ky është interesi më i madh, edhe i shqiptarëve, edhe i votuesit tonë, por pse jo edhe i rajonit”, thotë Gashi.

Gashi, përfshirjen në Qeveri e arsyeton me zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut duke theksuar procesin e integrimit evropian.

Lidhur me këtë ai shprehet optimist se Maqedonia e Veriut sivjet do të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, çka shënon edhe hapjen e negociatave.

“Unë jam shumë optimist duke i ditur edhe disa hollësi diplomatike edhe negociata që nuk janë krejt publike por edhe nëse bazohemi në informacionet publike e kemi një deklaratë të kryeministrit të ri bullgar i cili e dha një kornizë gjashtëmujore, nga ana tjetër e kemi kryeministrin aktual i cili flet për janarin dhe shkurtin, mendoj se nëse kemi ardhur të flasim për dy-tre muaj mendoj që çështjet diskutabile që po mbetën të parealizueshme apo të pazgjidhshme mendoj që kanë mbetur shumë pak. Prandaj mendoj që viti 2022 është një gjasë shumë reale që të ndodh hapja e negociatave”, thotë ai.

Në Maqedoninë e Veriut në mesin e këtij muaji pritet të votohet qeveria e re, mandatari për formimin e së cilës është Dimitar Kovaçevski nga Lidhja Social Demokrate. Aktualisht shumica parlamentare numëron 64 deputetë. /Kosovapress

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme