Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, gjatë fjalës së saj në seancë ka treguar për një rast që i ka ndodhur asaj, disa deputetëve të LDK-së dhe punëtorëve të administratës së Kuvendit. Ajo ka ftuar prokurorinë që ta hetojë këtë rast.
Gaxherri ka treguar për një rast kur u ishte shpërthyer goma gjatë kthimit nga Shqipëria për në Kosovë. Sipas saj, dikush duhet të merret me këtë rast në mënyrë që të dihet a është atentat apo papërgjegjësi e Kuvendit të Kosovës. “Komisioni për Buxhet dhe Financa së bashku me ‘GIZ’-in gjerman me datën 23 shkurt ka organizuar një punëtori në Shqipëri. Në këtë punëtori ka munguar deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj, dhe deputeti i NISMA-së, Enver Hoti. Me automjetin zyrtar të Kuvendit të Republikës së Kosovës të tipit kombi-bus kemi udhëtuar tre deputetë të LDK-së. Kthimi i neve pesë deputetëve dhe katër punëtorëve të administratës ka qenë një dramë, e cila krejt rastësisht nuk u kthye në tragjedi. Pas dy orësh udhëtim në magjistralen e kombit në kushte të mira atmosferike eksplodon goma e pasme e automjetit zyrtar dhe krejt rastësisht shpëtuam. Pas 30 apo 40 minutave pasi hymë në Kosovë në magjistralen ‘ Ibrahim Rugova’, eksplodon goma tjetër e pasme… shqetësimi për mua mbetet pse ndodhi ky rast, andaj ftoj prokurorinë e shtetit që të merret me rastin ta dimë se a ishte atentat i përgatitur ndaj deputetëve dhe të tjerëve a po ishte papërgjegjësi e Kuvendit të Kosovës, cila do qoftë është tejet shqetësuese lojë me jetën tonë”, ka deklaruar Gaxherri.