“Kanë vepruar sikur lopët, kur pasi të mbushet kova me qumësht, e shqelmojnë” – ky ishte përshkrimi që i bëri kryeministri Edi Rama tre liderëve kosovarë për përpjekjen e muajit të fundit për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. Gazetari Mero Baze thotë se kjo çka tha Rama në fakt i përshtatet situatës së krijuar në Kosovë.
Edi Rama nuk kurseu Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn dhe Kadri Veselin kur në një emision televiziv foli për përpjekjet e shfuqizimit të Gjykatës Speciale edhe pse këta të tre veçse kanë dhënë deklarata ku kanë nënkuptuar se janë tërhequr nga kjo ide.
“Në thelb është mund të prodhohet më shumë acarim gjuhësor por jo politik”, ka thënë Baze, i pyetur nga Express nëse ajo çfarë tha Rama do të ndikojë në raportet me Thaçin, Veselin e Haradinajn.
Shprehja që përdori kryeministri Rama, sipas gazetarit Baze, i përshtatet krejt kësaj situate që është krijuar në Kosovë nga përpjekja për të shfuqizuar Specialen.
“Ajo është një fjalë e urtë shqiptare që identifikon njerëzit që pasi punojnë mirë njëfarë kohe e prishin në fund dhe shkojnë në pikën zero. Është diçka që i shkon për shtat kësaj situate”, është shprehur Baze.
Ai thotë se vendimi për zhbërjen e Speciales ka qenë vendim personal i krerëve kosovarë, e njësoj Tirana si BE-ja dhe SHBA-ja kanë kundërshtuar një përpjekje të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.
“Konflikti real qëndron në faktin se Tirana ashtu si SHBA-ja dhe vendet e tjera të Perëndimit kanë qenë kundër përpjekjeve për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. Ky ishte një vendim personal i Haradinajt e Thaçit dhe rrethit të tyre, i cili fut Kosovën në një spirale të rrezikshme në marrëdhëniet me Perëndimin. Është më mirë të zemërohemi me ta se me Perëndimin”, ka përfunduar Baze.
“Krijimi i një problemi të tillë është sikurse lopa kur e mbush kovën e vet, pastaj ia fut shkelm dhe nuk dihet më se çka vjen mbrapa”, ka thënë kryeministri Edi Rama, duke mos i kursyer krerët e Kosovës dhe veprimet e tyre karshi Gjykatës Speciale.
Sipas Ramës, Kosova në vend se të provojë t’i zgjidhë problemet e saj të mëdha që i ka, po kujdeset për të krijuar të reja. /Express/