Kryetari i Degës së LDK-së në Pejë, njëherit kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, ka pranuar ambiciet e tij për të garuar për kryeministër të Kosovës në kuadër të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Në një intervistë për Periskopin, i pyetur se a e ka ndërmend të garojë për kryeministër, ai me humor ka thënë se ai mund ta zë këtë post, ndërsa të tjerët brenda partisë së tij që kanë ambicie po ashtu, mund të jenë zëvendëskryeministra të tij.
“Unë kam thënë që jam ma i miri për kryeministër, të tjerët munden me qenë zëvendëskryeministra, masi është bë zakon që me pasë zëvendëskryeministra shumë”, ka thënë Muhaxheri.
Muhaxheri ka folur edhe për shprehjen e interesimit të të tjerëve brenda partisë së tij për garën e kryeministrit.
“Është me tregu që LDK-ja nuk varet vetëm prej një njeriu. Ka shumë kandidatë që munden me qenë kryeministër. LDK është partia më e madhe në vend, është e përgatitur për zgjedhje. Ka tregu përherë që pa LDK-në në Qeveri, qeverisja nuk shkon mirë”, tha ai.
Ai ka thënë se ua ka hapur dyer të tjerëve për të shprehur interesimin e tyre.
“Janë shfaqë edhe të tjerë që kanë ambicie për kryeministër, jo vetëm unë. Unë ia kam çelë derën të tjerëve”, ka thënë ai.
Muhaxheri ka thënë se LDK është e gatshme për zgjedhje kurdo që mbahen ato.
“LDK-ja është shumë e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Nëse janë në qershor, jemi të gatshëm për ato zgjedhje, nëse shkojnë më tej atëherë do të jemi edhe më të përgatitur”, tha ai. /Periskopi/