Detaje të reja janë mësuar përsa i përket ngjarjes së rëndë në Dhërmi, ku në një nga dhomat e një hoteli, Gerald Shehu ka qëlluar me armë zjarri Eraldo Novruzi, recepsionistin ë biznesit.
Bëhet me dije se autori i ngjarjes është dhëndri i një prej bashkëpronarëve të këtij hoteli.
Sipas uniformave blu 43 vjeçari është konfliktuar fillimisht me 31 vjeçarin në një nga dhomat e hotelit, e më pas e ka qëlluar me armë zjarri.
Deri më tani nuk ka asnjë shenjë për trupin e të riut, teksa Gerald Shehu ndodhet në Greqi i arratisur.
Nuk dihen akoma shkaqet e kësaj ngjarje kriminale, por janë shoqëruar në komisariat 29 persona të cilët po merren në pyetje.
Gjithashtu mësohet se autori dhe viktima ishin të dy banues në Angli e ishin me precedent penal.
Po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre dhe zbardhjen e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.
Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.
Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë.
Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.
Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor.



