Si pasojë e motit të keq, që ka mbizotëruar këto dy ditët e fundit, shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme, gjendja emergjente në territorin e komunës së Gjakovës është rënduar dukshëm me tendencë të përkeqësimit të mëtejmë.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, pas verifikimit të gjendjes faktike në terren dhe përkundër disa masave të ndërmarra për tejkalimin e gjendjes, niveli i ujërave në shtretërit e lumenjve Ereniku, Drinit të Bardhe, Krena dhe Llukaci në përroska dhe kanale të tjera shkarkuese është në kuotat kritike. Ndaj nuk përjashtohet mundësia që në orët e ardhshme gjendja të eskalojë me përmasa të paparashikueshme.
Sipas vlerësimit të ekspertëve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, aktualisht gjendja më kritike është në këto pjesë të qytetit:
1. Rr. “Skender Shehu “, te ura prapa, përbri ish – fabrikës “JATEX”, ku uji ka filluar të depërtoj në shtëpitë dhe oborret përreth,
2. Në Dardani, ku kanë filluar të mbushen bodrumet e shtëpive,
3. Te ish – Fabrika e lëngjeve, ura nën rrugën magjistrale Gjakovë- Pejë,
4. Ura poshtë Stacionit të veterinarisë, në rrugën “Hysen Mehmeti”,
5. Po ashtu për shkak të infrastrukturës së dobët pritet të vërshohen edhe shtëpitë-oborret dhe bodrumet te lokacioni “Pika e zezë” prapa restorant “Presidenti”, e po ashtu edhe në zonat urbane të qytetit, si pasojë e mosabsorbimit të të gjitha ujërave nga sistemi i kanalizimeve dhe ujërave atmosferike, kuptohet, si pasojë e reshjeve enorme për m³.
6. Edhe në zonat rurale, sidomos në regjionin e Rekës së Keqe, gjendja është jo stabile. Edhe pse uji në orët e mbrëmjes kishte filluar të tërhiqet, sipas informacioneve nga terreni, nga të reshurat e mbrëmshme prapë ka filluar të rritet niveli i ujërave, sidomos të përroskave të rrëmbyeshme Labenica dhe Gusha në Rekë të Keqe, ujë ky i cili vjen nga Bokat e maleve përgjatë brezit kufitar.
Komuna e Gjakovës, respektivisht Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim përveç marrjes së masave adekuate të parapara në këto situata, kërkon nga qytetarët e saj të jenë vigjilentë dhe aty ku kanë mundësi me veprimet e tyre të kontribuojnë me ndërmarrjen e masave mbrojtëse personale dhe kolektive në kuadër të familjes së tyre dhe të komunitetit ku gravitojnë.
Nëse ky ritëm i reshjeve vazhdon edhe gjatë orëve në vijim, nuk përjashtohet mundësia e shpalljes së gjendjes emergjente në territorin e komunës së Gjakovës apo në ndonjë pjesë të saj.