Punonjësit e disa ministrive si dhe të Entit Shtetëror të Statistikave protestuan sot për shkak se nuk është aprovuar rritja e shtesave në paga prej 30 për qind. Sipas Sindikatës së punëtorëve të administratës së organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve, punonjësit e Ministrisë së Kulturës, Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Çështjeve Evropiane, Transformimit Digjital, Transportit dhe Lidhjeve kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive, me të cilën punonjësit do të kenë rritje shtesë të pagave 30 për qind. Pas njoftimeve të tilla, Qeveria bëri të ditur se nuk kanë marrë një kërkesë të tillë nga sindikatat, por edhe se një rritje prej 30% në këtë moment është përtej mundësive të buxhetit. Dy ditë më parë në protestë dolën edhe punonjësit të Avokaturës Shtetërore të cilët gjithashtu kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive që parashikon rritje shtesë të pagave me 30 për qind. /Alsat.mk