Gjendja e 24 të lënduarve në Spitalin Rajonal të Gjilanit është stabile dhe ndonjëri prej tyre edhe mund të lirohet për në shtëpi. Kështu ka deklaruar për Periskopin drejtori i Spitalit, Nisret Hajrullahu.
Sipas Hajrullahut, nuk ka pasur ardhje të reja, ndërkohë që ky numër i të lënduarve po menaxhohet mirë në trajtim.
‘’Gjendja e tyre është stabile, Nuk ka nevojë për ndonjë intervenim apo ndëryrje kirurgjike që të gjithë janë duke u menaxhuar mirë. Besoj që ndonjë edhe mund të shkojë në shtëpi nëse vec gjendja e tyre klinike është më e mirë. Nuk ka pasur ardhje të reja. Vizitat ende janë duke u kryer. Për shkak të natyrës së lëndimeve nuk kemi arsye me u ngut me i liru në shtëpi. Një ose dy munden me u liru, prej tyre q ë janë me lëndime më të lehta. Jo serioze’’, ka thënë Hajrullahu për Periskopin.
Aksidenti i djeshëm në qendër të Gjilanit tmerroi vendin pasi shkaktoi dëme të mëdha në njerëz, si dhe dëme materiale. Përderisa një person ka mbetur i vdekur e 27 të tjerë kanë pësuar lëndime, njëi prej tyre po lufton me jetën në QKUK.
Mustafë Avdijaj është shoferi i kompanisë ‘Uji i Pejës’ që shkaktoi aksidentin e rëndë në Gjilan.
Sokol Avdijaj, babai i shoferit që shkaktoi aksidentin e rëndë në Gjilan ka folur rreth kësaj ngjarjeje tragjike që ndodhi në pasditen e djeshme atje. Avdijaj thotë se e kanë përjetuar shumë rëndë si familje.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku ka deklaruar se sipas dyshimeve, aksidenti në Gjilan ka ndodhur për shkak të problemeve teknike të kamionit.
Por një reagim të vonë ka shprehur edhe kompania në fjalë, Sipas tyre, kamioni ka qenë në gjendje të mirë teknike.
Po ashtu kryeprokurori ka thënë se është intervistuar shoferi i kamionit së bashku me një pasagjer. Sipas deklarimeve të tyre, kamioni ka pasur probleme teknike dhe rreth 1 kilometër është vozitur pa frena.
“Në hyrje të Gjilanit rreth 1 kilometër thotë [shoferi v.j] se ka filluar mos me pas frenim dhe po ashtu ka thënë se kemi provuar me bë gjithçka për me e evidentu një gjë të tillë, por ka qenë e pamundur për shkak të një ngarkese të tillë. Këto janë informatat e para, për informata të tjera duhet të priten hetimet e mëtutjeshme. Nuk e kemi matjen e saktë, por përafërsisht rreth një kilometër ka vozitur me frena jo funksionale”, ka deklaruar Maloku.