Gjermania dhe Italia “do të rrëshqasin në recesion” më 2023

Gjermania dhe Italia do të rrëshqasin në recesion vitin e ardhshëm, duke u bërë ekonomitë e para të avancuara që do të tkurren, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, është thënë në një parashikim të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Recesioni përshkruhet si tkurrje e ciklit të biznesit, dhe për pasojë ka rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik.

Ndonëse Eurozona do t’i ikë recesionit, rritja ekonomike në bllokun me 19 vende anëtare do të jetë vetëm 0.5 për qind – më keq sesa e ka parashikuar organizata ndërkombëtare.

Lufta në lindje të Evropës ka ndikuar në rritje të nivelit të inflacionit dhe rritje globale të çmimeve, duke detyruar Bankën Qendrore Evropiane që të rrisë normat e interesit për të stabilizuar situatën ekonomike.

Gjermania – ekonomia më e madhe në Evropë – e ka paguar shtrenjtë varësinë në gazin e Rusisë, pasi kjo e fundit ka zvogëluar dukshëm furnizimet në Evropë.

Perëndimi beson se Rusia e ka marrë këtë vendim, si shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve që i janë vënë Moskës për luftën e nisur në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Ekonomia gjermane pritet të tkurret për 0.3 për qind më 2023, ka thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar në përditësimin e saj të fundit.

Italia, industritë e së cilës po ashtu varen nga importet ruse, do të tkurret për 0.2 për qind.

Gjermania dhe Italia janë ekonomitë e vetme të mëdha që do të përballen me recesion vitin e ardhshëm, sipas FMN-së.

“Rritja e zbehtë ekonomike më 2023 në Evropë, reflekton ndikimin e luftës në Ukrainë, sidomos për ekonomitë tejet të varura nga gazi rus”, ka thënë organizata.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme