E martë, 25 Tetor 2016 – Sakte.net
Profesori universitar i ekonomisë, Muhamet Mustafa, tregon për lajmi.net periudhën e artë të Trepçës, atëherë kur në Mitrovicë nxirreshin metale që importoheshin në të gjithë botën.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Mustafa, thotë se koha e artë e Trepçës nisi në vitin 1972, ku nga Trepça u krijua një bazë që lindën shumë fabrika nëpër Kosovë.
Mustafa tregon se ishin shqiptarët, boshnjakët dhe serbët që punuan bashkë, nën udhëheqjen e Agim Devës, atëherë kur Trepça ishte gjigant metalurgjik në rajon.
“Kohë e arta të Trepçës nisin pas vitit 1972 dhe ato janë krijuar njerëzit që kanë punuar në Trepçë – një inteligjencë teknike e nivelit evropian: Minir Dushi, Hasan Hazbati, Fatmir Agolli, Enis Presheva dhe te tjerë (edhe serb e boshnjak) nën lidershipin imprersiv te Veli Devës. Mbi bazë të minierave të pasura të shoqëruara me floatacionet ata forcuan prodhimin e metalurgjive dhe ndërlidhen me to përpunimin e një sasie të këtyre metaleve në Kosovë, në fabrika që linden gjithandej që nga Vushtrria ( llamarina e zinguar, ngjyrat në Extra), Municioni në Skenderaj , bateritë në Mitrovicë, Pejë e Gjilan, përpunimi argjendtit në Prizren, enët e emajluara në Gjakovë e të ngjashme. Ky koncept duket se është zhvilluar nga këta njerëz që meritojnë admirimin tonë mbi bazën e një koncepti dhe studimi të një kompanie Gjermane”, tregon Mustafa për lajmi.net.
Ligji i ri i miratuar për Trepçë nga Kuvendi i Kosovës, krijon infrastrukturë të përshtatshme për zgjerimin e ish gjigantit, por asnjëherë si në kohërat e arta.
“Ligji i aprovuar në Kuvend krijon një infrastrukturë të përshtatshme për një zgjerim të spektrit ( portfolios) së produkteve dhe shërbimeve të Trepçës në tërë këtë zinxhirë , që fillon nga nxjerrje mineralit e deri te përpunimi tij”.
Mustafa thotë se i duhet një studim Trepçës për ta kuptuar se sa janë kapacitetet për të prodhuar.
“Se çka do të përsëritet nga produktet që kishte dikur dhe çfarë s’do të jenë produkte të reja posaçërisht në veçimin e nxjerrën e shumë metaleve të çmuara, me dhjetëra sosh që e shoqërojë xehen e Trepçës e që kanë një përdorim të gjerë në teknologjitë e reja të informacionit e të telekomunikimeve do të tregojë studimi i fizibilitetit që është kontraktuar nga AKP i cili do të ndriçojë aspektet e tregut, të teknologjisë dhe aspektet e arsyeshmërisë financiare, ekonomike e sociale dhe aranzhmanet e financimit , dhe e gjithë ajo që merr përgjigje pozitive do të mund të hyjë brenda Trepçë”.
Mustafa thotë se aksionarët e ri të Trepçës e kanë në dorë rikthimin e gjigantit të dikurshëm.
“Kjo rrugë zhvillimi varet nga vizioni i aksionarëve (Qeveria dhe të punësuarit atje) nga përbërja e Bordit mbikëqyrës dhe liderët menaxherial të Trepçës, pra kryekëput nga faktori njeri “.
Problem për Mustafën janë niveli i duhur tash inteligjencës së re teknike me dije moderne nga teknologjitë, tregu e financat rreth Trepçës.
“Një problem është se nuk jam i sigurte se sa kemi në nivelin e duhur tash inteligjencë te re teknike me dije moderne nga teknologjitë, tregu e financat rreth Trepçës, po këtë patjetër duhet ta sigurojmë, në një mënyrë apo tjetër . Pra unë besoj se rikthimi i shkëlqimit të të Trepçës është mundur nëse sigurojmë burimet dhe kompetencat e nevojshme dhe për këtë ia vlen të punojmë natë e ditë”, thotë Mustafa për lajmi.net.
Ai e pranon se veriu i Mitrovicës, ku shtrihet një pjesë e minierave e që nuk kontrollohen nga shteti i Kosovës, paraqesin problem. Sipas Mustafës, kjo mund të tejkalohet me integrimin e popullatës të asaj pjese.
“Natyrisht që gjithë këtë çështje e përcjellë aspekti politik Ligji me konceptin e tij ekonomik dhe strukturat menaxheriale ka dhëne një bazë solide për funksionimin unik të Trepçës mbi bazë të interesit ekonomik. Minierat dhe floatacoinet në përbërje të Trepça nuk mund të ekzistojnë të izoluara jashtë Trepçës dhe kuadrit institucional të Kosovës dhe kjo besoj se në një periudhë afatmesme do të provohet dhe do të ndikojë në tejkalimin e tensioneve politike dhe ndëretnike brenda Trepçës dhe për rreth saj. Këtë e kanë kuptuar më shumë në Serbi , se sa në Kosovë, ndaj gjithë kjo zhurmë e nervozë atje, tek qarqet rigjide për rreth Qeverisë serbe. Natyrisht që komplementare me këtë duhet të jetë progresi i integrimit të asaj pjese të Kosovës edhe në rrafshe të tjera, një proces ky i vështirë dhe me një progres të ngadalshëm për shkak të obstruksioneve të Serbisë, po një proces që me gjithë vështirësitë po shënon një progres”, thotë Mustafa. /Lajmi.net/