Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Gëzim Çelën, i njohur si “baroni i drogës”, pak ditë pas ekstradimit nga Kosova.
Gëzim Çela ka dalë ditën e sotme para togave të zeza ku është njohur me masën e sigurisë. Gjithashtu “Baroni i drogës” ka nisur që të shlyej edhe dënimin e dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në 7 dhjetor 2015, ku u dënua me 10 vite e 8 muaj burg për trafik droge.
Në pamje shihej momenti kur autoritetet e Kosovës ua dorëzojnë të shumëkërkuarin e drejtësisë autoriteteve shqiptare në doganë.
Gjykata Themelore në Ferizaj të Kosovës më 27 shkurt vendosi për lejimin e ekstradimit të Gëzim Çelës drejt vendit tonë, për shkak se 56-vjeçari i ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar.
GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Kush është Gëzim Çela?
Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.
Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.
Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa.
Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.
Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.