Një person është plagosur sonte në rrugën “George Bush” në Prishtinë, pasi në drejtim të tij është shtënë me armë zjarri. Është arrestuar një person i dyshuar lidhur me rastin, të cilit i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.
Rastin për rtv21.tv e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 21:00 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën ‘George Bush’, në Prishtinë. Pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, të cilat menjëherë kanë arritë të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar. Personit të dyshuar I.I, mashkull 33 vjeç, i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast një person është lënduar, dyshohet nga arma e zjarrit”, njofton Policia.
Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.