“Gjuetia” e gylenistëve/ Si po i përgjigjet Shqipëria presionit të Erdoganit

Ultimatumi që Erdogan lëshoi në parlamentin shqiptar kundër gylenistëve nuk është i pari. Shndërrimi i Shqipërisë në një strehë për “fetuhllaçinjtë” është një pretendim i vjetër i Turqisë. Që kur erdhi në 2015 për të vendosur tullën e parë të Xhamisë së Namazgjasë, Erdogan kërkoi që shteti shqiptar t’i bashkohej gjuetisë së gylenistëve.


Më 5 maj të vitit 2015, teksa vizitonte Tiranën, presidenti turk u shpreh edhe publikisht.

“Ju jeni në dijeni që ne në Turqi po luftojmë kundër një strukturë paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht organizatë terroriste që kërcënon shtetin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate në vendin tonë dhe kudo do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë e vet edhe në Shqipëri, në këtë vend mik dhe vëlla”.

Ky ishte vetëm mesazhi i parë. Vit pas viti, përfaqësuesit turq e përsëritën kërkesën e tyre për ndëshkimin e gylenistëve që strehohen në Shqipëri, sipas parimit të përmendur nga ambasadori turk në Shqipëri Hydajet Bajraktar se “po s’ja shtype kokën gjarprit ai ringjallet”.

Për këtë arsye në Tiranë është pranuar dorëzimi i listave konfidenciale me emrat e gylenistëve që kanë gjetur në Shqipëri një strehë të sigurt. Në vizitën e tetorit të vitit 2018, Ministri i Jashtëm i Turqisë foli me tone ultimative.

“I kemi dhënë listat me emrat e tyre, miqve tanë shqiptarë. Janë lista të personave që kërkojmë ekstradim, gjithçka në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Kemi vendime gjykate, dokumente dhe presim që këto të realizohen” tha Mevlut Cavushoglu.

Që në Shqipëri ka një shtrirje të investimeve gyleniste, kjo nuk është më sekret. Shkolla, spitale, media, por edhe në institucione, anëtarët e FETO-s thonë përfaqësuesit e qeverisë turke janë një rrezik për sigurinë kombëtare.
Të njëjtin mesazh e përsëriti edhe Ministri i Brendshëm i Turqisë në 2019 kur vizitoi Tiranën. Suleyman Soylu, i deklaroi mediave të vendit të tij në përfundim të vizitës në Tiranë se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj dhe kryeministrin Rama për “luftën ndaj FETO-s” dhe se ishte “i kënaqur nga qasja e autoriteteve shqiptare për këtë çështje”.

Historia e Muhammed Yasir Aydoğmuş

Turku Muhammed Yasir Aydoğmuş, u arrestua në portin e Durrësit në tetor të 2017 me dokumenta të falsifikuara. Me ta vënë në pranga, autoritetet shqiptare u bënë gati ta ekstradonin drejt Turqisë, ku 39 vjeçari ishte në listat e organizatës FETO. Deportimi në Turqi, do të bëhej për të gjithë familjen e gylenistit të arrestuar.
Për Aydoğmuş ishte në fuqi një mandat arresti ndërkombëtar, pasi mendohej se ishte një nga administratorët e profilit në Twitter @fuatavni.

Llogaria në Twitter u hap në Shkurt të vitit 2014 para grushtit të shtetit të 15 Korrikut të vitit 2016
Profili publikoi rregullisht vendime sekrete të qeverisë, duke përdorur informacionet që vinin nga njerëz të Gylenit në pika kyçe të administratës. Dokumentat që bezdisën Erdogan shoqëroheshin me kërcënime, ofendime dhe komente për presidentin Rexhep Taip Erdogan dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.
Llogaria në Tëitter shërbente si një armë e fuqishme për informimin e anëtarëve të organizatës së Fetullah Gylen, sipas shtetit turk.

Por me një vendim të papritur, Gjykata e Durrësit e liroi Muhammet Yasir Aydogmus, duke shkaktuar pakënaqësinë e autoriteteve turke që e quajtën vendimin skandaloz. Disa ditë më pas 39 vjeçari turk u arratis nga Shqipëria.

Dëbimi i Harun Çelik

Mësuesi 42-vjeçar turk Harun Çelik u mor në Shqipëri nga Shërbimi Sekret i Turqisë në 1 Janar të vitit 2019. Në media dolën pamjet e turkut që thërriste “azil” në momentin kur e futën në një makinë, ndërsa disa orë më pas ai ishte në Turqi.

Çelik, një tjetër gylenist i arratisur, për të cilin nuk ishte pritur ankimimi në gjykatën administrative, por që sipas raportimit të CNN Turk “terroristi i FETO i arratisur u soll në Turqi nga Shqipëria në një operacion të MTI (Organizata Kombëtare e Inteligjencës)”.

CNN Turk shkruajti se Çelik u ndoq nga pas, nga mbështetës të tij të cilët i bënin thirrje që të bënte sikur i binte të fikët për të vonuar ekstradimin”. Mediat turke përmendën edhe burgimin e tij për 5 muaj në Shqipëri me dokumente të falsifikuara. Policia shqiptare tha nëpërmjet zëdhënësit se ishte zbatuar ligji për të huajt, por avokati i turkut 42-vjeçar konfirmoi se autoritetet shqiptare nuk kanë pranuar të shyrtojnë kërkesën për azil politik.
Edhe në rast të refuzimit zyrtar ai kishte të drejtën e apelimit në Gjykatën Administrative, por askush nuk priti për këto procedura. Sapo doli nga burgu, turku iu dorëzua shërbimeve sekrete turke dhe u nis për në vendin e tij edhe pse atje i rrezikohet jeta.

Historia e Selami Simsek

Selami Simsek ishte një tjetër shtetas turk i arrestuar në një ditë me mësuesin e ekstraduar nga Shqipëria, Harun Çelik. Simsek u kap në korrik 2019 në Rinas, teksa po tentonte të udhëtonte nga Rinasi drejt Kanadasë me një vizë false.

Fakti që ishte pjesë e organizatës FETO në Turqi e komplikoi rastin e tij.

Pas dënimit me 18 muaj burg për falsifikim ai i dërgoi një letër drejtorisë së kufirit dhe emigracionit në Shqipëri, që të mos e dëbojnë në Turqi, për shkak se i rrezikohet jeta si mbështetës i Gylen. Gjykatat deri më tani e kanë refuzuar ekstradimin e Simsek, megjithatë procesi për deportimin e tij është ende pezull.

Mbyllja e shkollave të rrjetit gylen

Mbyllja e shkollave gyleniste ka qenë një nga kërkesat e përsëritura të qeverisë turke, që ka ofruar zëvëndësimin e shërbimit me shkollat Marif në Shqipëri.

Pas shumë hezitimesh, qeveria shqiptare iu dorëzua presionit të Erdogan duke mbyllur disa prej shkollave te lëvizjes Gylen në Shqipëri. Agjensia shtetërore e lajmeve turke njoftoi në shtator të 2019 se institucionet arsimore që i përkasin lëvizjes së Fetullah Gylen do të mbyllen.

“Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri” ka , transmetuar Anadolu Agency (AA).

“Qeveria e Shqipërisë ka vendosur edhe mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana (MIST)”, në të gjitha nivelet arsimore (arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë), që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education”.

FETO i kishte në pronësi këto shkolla përmes bashkëpunimit mes Fondacionit “Sema” dhe komunitetit musliman shqiptar.

Ndërprerja e marrëdhënieve me Komunitetin Mysliman

Përfaqësimi i gylenistëve deri në strukturat drejtuese të Komunitetit Mysliman ka qenë një nga shqetësimet e hershme të qeverisë turke. Mesazhet e tërthorta dhe ndërprerja e marrëdhënieve me komunitetin ditët e sotme është epilog i një historie të gjatë akuzash për infiltrimin e gylenistëve në Komunitetin Mysliman. Që kur u zgjodh në krye të komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj u akuzua si mbështetës i Fetullah Gylenit. Në të vetmin reagim që bëri për këto akuza, Bruçaj u distancua nga problemet e brendshme të Turqisë.

Të njëjtat akuza vijojnë edhe për Bujar Spahiun, kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Mungesa e përfaqësuesve të komunitetit ra në sy edhe në vizitën e fundit të Erdogan kur ai inauguroi Xhaminë e Et’hem Beut dhe është shkaku kryesor që Xhamia e Namazgjasë nuk po dorëzohet nga qeveria turke.

Presioni ndërkombëtar për mosekstradimin e gylenistëve.

Shqipëria ka qenë shpesh pre e kritikave ndërkombëtare për shkeljen e praktikave botërore në favor të autokratit turk.

“Shqipëria dyshohet të jetë pjesë e një marveshje sekrete me Turqinë për dorzimin kundër procedurave ndërkombëtare të atyre që Erdogani i ka shpallur si gylenistë”. Kjo rezultoi nga një raport i zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, që mban datën 5 Maj 2020. Ai ngre shqetësim për atë që mund të cilësohet një praktikë e vazhdueshme e ekstradimeve apo dëbimeve të detyrueshme të shtetasve turq nga vende të ndryshme, drejt Turqisë.

Për rastet e bëra publike të ekstradimit, përfaqësues të Bashkimit Europian kanë reaguar me ashpërsi. Në anën tjetër Edi Rama nuk e ka fshehur asnjëherë vullnetin për të plotësuar dëshirat e “vëllait” Erdogan, që gjithnjë e më shumë po tregohet zemërgjerë me Shqipërinë./GSH.al

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme