Sakte.net / E mërkurë, 05 Tetor 2016 – 09:55
Marrëveshja e arritur më 14 shtator në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për reciprocitet në targat e automjeteve, nuk do të zbatohet në të gjithë territorin e Kosovës. Kështu, të paktën ka thënë përfaqësuesi i palës serbe, Marko Gjuriq, sipas të cilit, marrëveshja anashkalon veriun e Kosovës, të cilin ai e ka apostrofuar si “shah në vete”.
Kjo anashkalohet nga pala kosovare. Sipas Prishtinës zyrtare, marrëveshja realizohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe do t’i dedikohet të gjithë qytetarëve, qofshin shqiptarë, serbë ose ndonjë përkatësie tjetër.
Sipas kryenegociatores së bisedimeve Kosovë – Serbi, Edita Tahiri, deklarata e Gjuriqit është e pabazë dhe gjithashtu bie në kundërshtim me Marrëveshjen e arritur mes dy shteteve në Bruksel.
“Deklarata e Gjuriqit bie në kundërshtim me marrëveshjen e arritur më 14 shtator, për çështjen e reciprocitetit, si dhe largimin e tabelave provuese dhe atyre ilegale. Kjo marrëveshje realizohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe nuk ka përjashtim. Marrëveshja ka të bëjë me të gjithë qytetarët e Kosovës, që të mos i përdorim ato. Ne pas 12 muajve do t’i konfiskojmë dhe do të ballafaqohen me pasoja”, ka thënë Tahiri.