Një gjykatëse federale ka rrëzuar pezullimin e vendosur nga administrata amerikane për shqyrtimin e vizave për migrantë nga 75 vende, përfshirë nga Maqedonia e Veriut. Sipas Gjykatës së Qarkut Jugor të Nju Jorkut, vendimi i administratës amerikane vlerësohet i “kundërligjshëm” dhe gjykatësja Jeannette Vargas tha se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka “tejkaluar autoritetin e tij” kur e mori vendimin.
Vendimi, që hyri në fuqi në janar të këtij viti, pezullonte shqyrtimin e aplikimeve të vizave për migrantë nga shtetasit e 75 vendeve, përfshirë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Po ashtu, në këtë ndalesë u përfshin edhe shtetet sikurse Afganistani, Egjipti, Brazili, Iraku, Nigeria, Somalia, Tajlanda dhe Jemeni.
“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga 75 shtete, migrantët nga të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X në janar kur njoftoi për vendimin.
Por, Vargas vendosi se zyrtarët konsullorë u udhëzuan gabim për të refuzuar vizat e migrimit duke u bazuar vetëm në vendin e origjinës së aplikuesit. Administrata amerikane mund ta apelojë vendimin e gjykatës federale.
Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare./Alsat.
The post Gjykata amerikane rrëzon pezullimin e vizave për 75 shtete, mes tyre edhe Maqedonia e Veriut appeared first on Alsat.



