Gazetar: Suad Bajrami
Pasi Prokuroria e mbylli lëndën për furnizimin e spitaleve modulare, LSDM i kërkon VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Hristijan Mickoski që të kërkojnë falje për akuzat lidhur me Venko Filipçen, i cili ishte i përfshirë në hetim.
“Nëse do të kishte pasur edhe bazën më të vogël për përgjegjësi penale të Filipçes, a beson dikush se Mickoski dhe VMRO nuk do të gjenin mënyrë për ta shfrytëzuar? Pas dy vitesh pushtet, me tërë fuqinë që e kanë, do të lejonin diçka të pashfrytëzuar kundër kundërshtarit të tij politik. Organizata kriminale VMRO udhëhoqi linç publik dhe gjyq politik plotë pesë vite, pa prova, pa aktgjykim, pa kurrfarë kufij”, deklaroi Keti Shterjova, LSDM.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE vazhdojnë të insistojnë se Filipçe është shpëtuar nga shefi i prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi.
“Për Islam Abazin, prokurori në largim, deti me dokumente, ekspertizat për Spitalin Modular në Tetovë nuk kanë rëndësi asgjë, nuk ka pasur rëndësi asgjë as edhe fakti që 14 njerëz të gjallë janë djegur në të njëjtin spital”.
00:27 “Për trurin e operacionit spitale modulare, Venko Filipçe, Prokuroria, paramendoni thotë, nuk është fajtor. Dhe këtë, pas pesë vitesh e thotë prokurori i cili tërë mandatin i ka shërbyer vetëm LSDM-së dhe BDI-së”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.
Për çështjen në fjalë kanë reaguar edhe nga partia në Qeveri, VLEN e cila kërkon përgjegjësi nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti.
“Islam Abazi, i cili sot drejton Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duhet t’i japë publikut një shpjegim të qartë dhe të plotë për këtë epilog. Ali Ahmeti, nga ana tjetër, nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek politikisht BDI-në. Tragjedia ndodhi në kohën kur partia e tij ishte në pushtet, ndërsa sot, pas pesë vitesh hetim, familjet e viktimave ende përballen me pikëpyetje të mëdha. Dje kërkuam përgjigje. Sot kërkojmë edhe më shumë transparencë”, thonë nga VLEN.
• Kërkojmë llogari nga Ali Ahmeti për mbylljen e hetimit
• Tragjedia ndodhi në kohën kur partia e Ahmetit ishte në pushtet
Mbyllja e hetimit për tenderin e furnizimit të spitaleve modulare ka shkaktuar reagime të ashpra nëpër rrjetet sociale edhe nga ana e qytetarëve./Alsat.mk.
The post Spitalet modulare / LSDM: VMRO t’i kërkojë falje Filipçes appeared first on Alsat.



